40-vjetori i shenjtorëve Cirili e Metodi, Pajtorë të Evropës e udhërrëfyes drejt bashkimit

Shpresa e kardinalit Kurt Koch për bashkimin e të krishterëve, shprehur në një videomesazh, dyzet vite pas shpalljes së Shenjtorëve Apostuj të sllavëve si bashkë-pajtorë të Evropës, së bashku me Shën Benediktin

R.SH. - Vatikan

Më 31 dhjetor 1980, me botimin e Letrës Apostolike “Egregiae Virtutis”, shën Gjon Pali II i shpalli shenjtorët Cirili dhe Metodi bashkë-pajtorë të Evropës. Ishte 100-vjetori i Enciklikës “Grande Munus” (1880), me të cilën Papa Leoni XIII i kujtoi gjithë Kishës figurën dhe veprimtarinë apostolike të këtyre shenjtorëve, duke e futur festën e tyre liturgjike në kalendarin e Kishës Katolike.

Videomesazhi i kardinalit Kurt Koch

 Dyzet vite më vonë, duke iu kthyer rolit dhe në vlerës historike fetare të vëllezërve të Selanikut, kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet krishterëve, në një videomesazh shpreh urimin për udhëtimin e përbashkët të Kishës dhe ia beson atë këtyre dy dëshmitarëve të shkëlqyer të fesë. “Misioni i shenjtorëve Cirili e Metodi - nënvizon kardinali Koch - për popujt sllavë, përfaqëson një vetëdije të re për kulturën e tyre, në një farë mënyre, vetë hyrjen në kulturë përmes gjuhës së shkruar të sapolindur. Ata bënë të shkruhej ajo gjuhë e folur, e shprehën me shenjat e shkrimit - dhe në këtë formë, ua përcollën atyre, nga të cilët e kishin marrë për herë të parë në mirëbesim. Ungjilli filloi të shprehej në gjuhën e shkruar sllave.

Në Velehrad, në Moravinë e Madhe, në zemër të Evropës, vëllezërit nga Selaniku sollën traditën greke dhe bizantine, duke kërkuar dhe arritur miratimin e teksteve liturgjike në gjuhën sllave dhe të misionit të tyre nga Kisha e Romës.

Shenjtorët Cirili dhe Metodi, të nderuar në Perëndim dhe në Lindje, janë për të gjithë dëshmitarët e atij uniteti të pandarë që në zanafillë, në gjendje të bashkojë, pavarësisht nga dallimet. Jeta e tyre na frymëzoftë për rrugën e bashkimit dhe ndërmjetësimi i tyre e realizoftë atë për ne”.

31 dhjetor 2020, 14:39