Imzot Fisichella Imzot Fisichella

Ushqime e tampone për të varfërit, nuk ndalet bamirësia e Papës

Imzot Rino Fisichella paraqiti nismat për Ditën e katërt Botërore të të Varfërve, më 15 nëntor. Papa do të kremtojë meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në praninë e rreth njëqind njerëzve. Është aktivizuar një rrjet solidariteti për t’u çuar ushqime, maska dhe ndihma mijëra familjeve

R.SH. - Vatikan

Në qendrën mjekësore poshtë Shtyllave të Shën Pjetrit, hapur nga ora 8.00 deri në orën 14.00, dhe administruar nga Lëmoshtaria Apostolike, më të varfërit do të mund të bëjnë tamponet për koronavirusin - si ata, që strehohen në fjetoret e Karitasit, ashtu edhe ata, që duan të kthehen në atdhe. Kjo është një nga shenjat konkrete të Ditës së katërt Botërore të të Varfërve, e cila kremtohet të dielën e ardhshme, më 15 nëntor. Ndërkaq, gjatë dy javëve, janë bërë 50 tampone në ditë. Pavarësisht se pandemia nuk e ndalon bamirësinë e Papës e të Vatikanit, ia ka ndryshuar pjesërisht “fytyrën”, pasi, për shembull, dreka e Atit të Shenjtë me të varfërit dhe puna e qendrës mjekësore në Sheshin e Shën Pjetrit, janë pezulluar.

Mesha e së dielës, 15 nëntor

 Paraqitjen e kësaj Dite e bëri on-line, kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella, i lidhur me gazetarët nga Salla e Shtypit e Vatikanit. Është takim i rëndësishëm për të gjitha dioqezat e botës, theksoi ai, pasi kështu, mbahet gjallë ndjenja e vëllazërimit për njerëzit më të pafat. Të dielën, njoftoi imzot Fisichella, Papa Françesku do të kremtojë meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, por vetëm me 100 besimtarë të pranishëm, që do të përfaqësojnë të gjithë të varfërit e botës, vullnetarët dhe bamirësit. Disa nga të asistuarit e Lëmoshtarisë Apostolike do të kumtojnë leximet liturgjike, në një kremtim eukaristik, që do të transmetohet drejtpërdrejt në Rai1, Tv2000, Telepace dhe televizione të tjera, ndërsa në internet në portalin Vatican News.

Kemi përgjegjësi për të tjerët

 Imzot Fisichella shpjegoi kuptimin më të thellë të kësaj Dite, që kremtohet të dielën e 33-të të vitit liturgjik. Ajo u themelua nga Papa Françesku me Letrën Apostolike “Misericordia et misera”, në fund të Jubileut të Mëshirës së vitit 2016. “Shtrija dorën të varfërit”: kjo shprehje e marrë nga Lirbi i Siracidit, është tema e zgjedhur për këtë vit. Në Mesazhin e Papës nënvizohet urgjenca për të lehtësuar pasojat e pandemisë së koronavirusit, e cila ka shkaktuar vështirësi për shumë familje. “Këto muaj, gjatë të cilëve e gjithë bota është tronditur nga një virus, që ka sjellë dhimbje dhe vdekje, shkurajim dhe hutim, pamë sa e sa duar të shtrira!”, shkruan Papa, duke kujtuar se “kjo është kohë e favorshme për të ndierë edhe një herë se kemi nevojë për njëri-tjetrin, se kemi përgjegjësi për të tjerët dhe për botën”.

Ushqime dhe maska

Gjatë konferencës për shtyp on-line, imzot Fisichella njoftoi se do të shpërndahen rreth 5.000 pako me ushqime për familjet e 60 famullive të Romës. Së bashku me pakot, që janë përgatitur nga 20 të rinj, akoma të papunë, njerëzve në vështirësi do t’u jepen edhe maska. Gjithçka shoqërohet me një kartolinë, ku është shkruar një lutje e Papës Françesku. Prelati falenderoi bamirësit, që janë pronarë supermarketesh të rëndësishme në Itali, krerë shoqatash bamirëse e sigurimesh të mëdha shoqërore, falë të cilëve, më të varfërve do t’u shkojnë ndër të tjera, 2,5 ton makarona, ndërsa nxënësve të periferive, 350 mijë maskat e para, në një impenjim, që do të vijojë edhe më tej.

Duart dhe buzëqeshja

 Për Ditën e katërt Botërore të të Varfërve është përgatitur edhe një Doracak baritor, përkthyer në 5 gjuhë, në mënyrë, që nismat e bamirësisë të mbështeten edhe nga lutja personale dhe nga ajo e bashkësisë. Imzot Fisichella kujtoi se Papa, në Mesazhin e tij për këtë Ditë, i nxit të gjithë të ndihmojnë të varfërit, jo vetëm duke ua shtrirë dorën atyre, por duke e bërë çdo veprim me “stilin e dishepujve të Krishtit”, me zemër të hapur e me buzëqeshje.

         Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, imzot Fisichella foli edhe për një nismë, që i çon mjekët në periferitë e kryeqytetit italian, në ndihmë të më nevojtarëve. Njoftoi, gjithashtu, se është takuar me kryeministrin Giuseppe Conte dhe me presidentin e Rajonit të Lazio-s, Nicola Zingaretti, në përgatitje të Jubileut të zakonshëm të vitit 2025, që do të kremtohet menjëherë pas pandemisë, për të cilën prelati uroi të përfundojë sa më shpejt.

13 nëntor 2020, 09:14