Papa Françesku dhe kardinali Mario Zenari Papa Françesku dhe kardinali Mario Zenari

Kardinali Zenari e britma e Sirisë: shpresa nuk duhet të vdesë

Raporti i nuncit apostolik në Damask mbi situatën tragjike në Siri, në takimin me ambasadorët pranë Selisë së Shenjtë, në Sallën e Re të Sinodit. Vendi është në vështirësi të madhe e ka nevojë për ndihmë, pohoi kardinali Mario Zenari, të mos e lëmë “të varroset nën mbulojën e heshtjes”.

R.SH. - Vatikan

Duke iu referuar enciklikës së fundit të Papës Françesku “Fratelli tutti”, kardinali Mario Zenari iu drejtua ambasadorëve të akredituar në Selinë e Shenjtë për të kërkuar “solidaritet” me Sirinë, gjithnjë e më “e sëmurë dhe më e varfër”, si edhe për të kujtuar se “ose shpëtojmë të gjithë, ose askush”. Nunci apostolik në Siri foli për vendin, ku shërben që prej 12 vitesh e që sot, duket se është zhdukur “nga radari i medias”, fatkeqësi kjo, që i shtohet një konflikti të gjatë, i cili ka rrezik të mbulohet nga “mjegullnaja e heshtjes”, siç pati thënë Papa në fillim të këtij viti, gjatë shkëmbimit të urimeve me Trupin Diplomatik.

 Në takimin e moderuar nga Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, prelati foli për atë, që e quajti “katastrofa humanitare më e rëndë, e shkaktuar nga njeriu, nga fundi i Luftës II Botërore” dhe shpjegoi  se “në tokën dhe në qiejt e Sirisë, aktualisht, veprojnë pesë Forca të Armatosura vendesh në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin”. Një tragjedi, për të cilën u ndal, në hyrje, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke u kujtuar të pranishmëve se njeriu mund të mësohet me këtë “litani tmerresh” e “të bjerë në heshtje dhe indiferencë” para pamjeve të nënave të rraskapitura, fëmijëve që vdesin nga uria dhe të ftohtit, baballarëve të dëshpëruar të cilët, pas orësh të gjata në këmbë, nuk janë në gjendje të arrijnë në kohë në spital për t’i shpëtuar të vegjlit e tyre.

Rëndësia e projektit “Spitale të hapura”

 Në Siri, sipas kardinalit Zenari, “bomba” e tmerrshme e varfërisë ka shpërthyer mbi kryet e rreth 80% të popullsisë. Çështja është si duhet ndaluar ajo e, këtu, nunci përmendi punën e Kishës në vend dhe projektet e saj humanitare. Nxorri veçanërisht në pah projektin “Spitale të hapura” në Damask dhe Haleb. Është fjala për struktura ku mund të shkojë çdo i sëmurë dhe i varfër, pavarësisht nga feja; struktura, që shërojnë “trupin, por edhe marrëdhëniet shoqërore” ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme. Projekt, i filluar me mbështetjen e Papës Françesku, që vijoi 3 vite e kushtoi 17 milion euro. Është në përfundim e sipër, por nuk mund të ndërpritet, prandaj nevojitet ndihmë e re ekonomike, sidomos në këto kohë pandemie.

Ndihma për Sirinë të mos jetë vetëm asistencialiste. Çështja e sanksioneve

Nunci apostolik në Siri rreshtoi probleme vërtet të rënda: nga largimi i personalit shëndetësor në dobësimin e industrisë më të lulëzuar farmaceutike në rajon; nga shkollat e papërdorshme e deri tek papunësia e shkatërrimi i banesave. Rreth 2 milion fëmijë nuk mund të ndjekin mësimet. Tregoi për “lagjet dhe fshatrat fantazmë” dy hapa jashtë kryeqytetit, në Homs e Haleb, duke kujtuar 12 milion sirianët e shpërngulur brenda vendit, ose refugjatë në vendet fqinje. “Ndihma bujare” e deritanishme është si “një curril uji në shkretëtirë”, nënvizoi ai, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverive jo për asistencializmin, që do t’i kthehente sirianët në lypës, por për rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë. Prelati u ndal edhe në çështjen delikate të sanksioneve, të cilat rëndojnë kryesisht mbi popullsinë e nuk e dobësojnë aspak “lidershipin aktual politik të Damaskut”. Ripropozoi thirrjen e Papës Françesku për t’i hequr sanksionet aty ku ndikojnë në keqësimin e gjendjes e nuk lejojnë të zgjidhen problemet e pandemisë së koronavirusit.

Eksodi dramatik i të krishterëve

 Kardinali Zenari foli për dimrin e gjatë dhe të ftohtë sirian, kujtoi të moshuarit dhe fëmijët, që vdiqën vitet e fundit, u ndal në plagën e pashërueshme, shkaktuar nga largimi i rinisë dhe nga vdekja e shumë prej të rinjve në luftë. Përshkroi sakrificën e dhimbshme të fëmijëve, viktimat e para të këtij konflikti, vuri në dukje fatin e grave, të detyruara të vuajnë abuzime shumë të rënda. E theksoi se gjysma e të krishterëve janë larguar nga Siria, se kishat nuk kanë më besimtarë. Një eksod i rrezikshëm për gjithë shoqërinë, sepse të krishterët i sigurojnë Sirisë dritaren e hapur për të parë botën, janë pasuri për gjithë sektorët e vendit. Kardinali Zenari bëri thirrje të bëhet ç’është e mundur për të mos lejuar ikjen e të krishterëve e për t’i pajtuar shpirtrat, duke i lehtësuar zemrat e plagosura të të krishterëve e të myslimanëve.

Në rrezik, shpresa. Të mos e lëmë të vdesë

 “Larg duart nga Siria!”, e ngriti zërin nunci, i cili e përfundoi takimin me ambasadorët e akredituar në Selinë e Shenjtë, duke vënë theksin mbi “problemin serioz humanitar të riatdhesimit të refugjatëve”, si edhe mbi atë të “shumë njerëzve të zhdukur e të burgosur”. Në dhjetë vite luftë, shumë kanë vdekur, sidomos fëmijë, por tani është në rrezik edhe “shpresa”. “Të mos lejojmë të vdesë”: kjo, lutja e fundit e kardinalit Zenari, “të mos e lëmë të varroset nën mbulojën e heshtjes!”

16 tetor 2020, 10:17