Pope Francis; Ordinary public Consistory for the creation of news Cardinals Pope Francis; Ordinary public Consistory for the creation of news Cardinals

Kardinali i Kinshasës në Këshillin e Papës

Papa Françesku caktoi kryeipeshkvin e Kinshasës, Ambongo Besungu në Këshillin e Kardinajve, duke e bërë atë anëtar të grupit, ndërsa imzot Marco Mellino u caktua sekretar në vend të imzot Semeraro-s.

R.SH. - Vatikan

Afrika përfaqësohet sërish në Këshillin e Kardinajve, që e ndihmojnë Papën për mbarështimin e Kishës Universale dhe në veçanti, në punën për Kushtetutën e re apostolike, që do të zëvendësojë “Pastor Bonus”.

Fytyra e re në Këshillin, që tani përbëhet nga 7 anëtarë, është ajo e kardinalit Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv i Kinshasës (Republika Demokratike e Kongos). Kthehet kështu një afrikan në grup, pas kardinalit Laurent Monsengwo Pasinya, i cili e la detyrën në fund të vitit 2018, së bashku me kardinajtë Pell dhe Errazuriz Ossa.

Konfirmohen gjashtë anëtarët e tjerë, pra, kardinajtë Óscar Andrés Rodríguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Teguçigalpës (Honduras) dhe koordinator i grupit; Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin; Seán Patrick O'Malley, kryeipeshkëv i Bostonit (Shtetet e Bashkuara të Amerikës); Oswald Gracias, kryepeshkop i Bombejit (Indi); Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Mynihut dhe i Frajsingut (Republika Federale e Gjermanisë) dhe Giuseppe Bertello, president i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit.

Ipeshkvi Marco Mellino është emëruar sekretar i ri i Këshillit të Kardinajve, në vend të imzot Marcello Semeraro-s, caktuar nga Papa në detyrën e prefektit të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

15 tetor 2020, 16:05