1993-04-25 Giovanni Paolo II Viaggio apostolico in Albania 1993-04-25 Giovanni Paolo II Viaggio apostolico in Albania 

5 tetor 1980 mesazhi Shën Gjon Palit II drejtuar popullit shqiptar

Papa Shën Gjon Pali II nga Otranto popullit shqiptar më 5 tetor 1980: “Sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike e Shqipërisë tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj; ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë të thjeshtë".

R.SH. - Vatikan

Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, nga brigjet e përtejme të Adriatikut, Papa Shën Gjon Pali II përshendeti popullin shqiptar me një mesazh të parë plot dashuri atërore, duke shprehur kujdesin për grigjën e vogël, të martirizuar, të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Në homelinë e Meshës Shenjte, kremtuar më 5 tetor 1980 në Otranto, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa Wojtila sensibilizoi mbarë botën me fjalët drejtohet popullit shqiptar:

E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike e Shqipërisë tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj; ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë të thjeshtë”...

Papa Shën Gjon Pali II nga Otranto i drejtohet popullit shqiptare më 5 tetor 1980

Me këtë rast edhe një herë duam të kujtojmë me nderim e mirënjohje të veçantë veprimtarinë e Papës shën Gjon Pali II në favor të Shqipërisë, Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po përmendim fjalët që vetë Ati i Shenjtë Wojtila pat thënë, së pari në sheshin Skënderbe të Tiranës, gjatë vizitës së  tij historike e të paharruar të 25 prillit 1993, gjatë së cilës shuguroi katër ipeshkvijtë e parë shqiptarë të Kishës Katolike, pas komunizmit:
"Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar.
T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare
".

E pastaj për Kosovën, sidomos kur në të ndizej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve, Papa shën Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët e vitit 1999, pati thënë:
"I lutem Zotit të ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin larg. Të mobilizohet solidariteti i të gjithëve, që më në fund të flitet sërish për vëllazërim e paqe! Si të qëndrojmë pasivë para lumit të dhimbshëm të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë?...".

05 tetor 2020, 10:12