Situata në Bjellorusi Situata në Bjellorusi 

Selia e Shenjtë: zgjidhje paqësore për Bjellorusinë

Drejtësi, dëgjim të zërit të popullit e paqe: këtë kërkoi, në fjalimin e tij kushtuar Bjellorusisë, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, mbajtur me rastin e sesionit të 45-të kushtuar situatës së vështirë në Minsk.

R. SH. - Vatikan

“Selia e Shenjtë përsërit thirrjen për zgjidhjen paqësore dhe të drejtë të situatës shoqërore e politike, krijuar në Bjellorusi pas zgjedhjeve”. E theksoi kryeipeshkvi Ivan Jurkovič, Vëzhgues i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara të Gjenevës, duke folur dje në seancën e 45-të të Këshillit për të drejtat e njeriut, kushtuar situatës në Minsk.

Drejtësi e të drejta

Për t’u dhënë fund tensioneve, prelati kërkoi posaçërisht “dialogun e sinqertë, refuzimin e dhunës, respektimin e drejtësisë dhe të të drejtave”. Kryeipeshkvi kujtoi thirrjen e Papës Françesku drejtuar Bjellorusisë dhe Kishës katolike  vendase, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 16 gushtit, ritheksuar gjatë vizitës, që bëri këto ditë në vend Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Ricard Gallagher.

Manifestime paqësore e dëgjim i zërit të popullit

Duke uruar  “mirëkuptim më të thellë të misionit të Kishës dhe të rolit që luan për pajtimin shoqëror dhe paqen shoqërore”, imzot Ivan Jurkovič   kërkoi manifestime paqësore, dëgjim të zërit të popullsisë, respektim të të drejtave. “Selia e Shenjtë, duke dëshiruar një rrugëzgjidhje paqësore  të tensioneve në vijim - përfundoi prelati - e lë të hapur rrugën për çdo diskutim, që mund të sjellë paqen aq të nevojshme e të dëshiruar!”.

19 shtator 2020, 11:47