Trafiku i njerëzve Trafiku i njerëzve 

Selia e Shenjtë: kundër trafikut, të forcohet partenariati dhe bashkëpunimi

Kujtoi “armët” me të sigurta për ta luftuar plagën e rëndë, që e shndërron njeriun në mall”, imzot Janusz Urbanczyk, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), gjatë takimit të 1.277 të Këshillit të përhershëm të OSBE-së, që përfundoi sot. Prelati vuri në dukje edhe aksionet e mundshme, në përpjekjen për parandalimin, mbrojtjen dhe përfundimin e persekutimit.

R. SH. - Vatikan

Të forcohet partenariati dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve: kjo është një nga “armët” më të frytshme për ta luftuar trafikun e njerëzve. E pohoi   imzot Janusz Urbanczyk, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OSBE-së, duke folur gjatë takimit të 1.277 të Këshillit të Përhershëm. I mbajtur në Vjenë në harkun një muaji, nga 30 korriku deri më 30 gusht, Takimi ia kushtoi seancën e 30 korrikut reflektimit mbi “Ditën botërore kundër trafikut njerëzor”. Temë tejet e rëndësishme për Selinë e Shenjtë  - theksoi  imzot Urbanczyk - duke vënë në dukje se viktimat e trafikut janë njerëzit më të  çnjerëzuar e më të flakur tutje, në çdo skaj e skutë të tokës. “Trafiku i njerëzve është plagë e hapur, kolerë e përhapur në trupin e shoqërisë së bashkëkohore” - vijoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, duke i bërë jehonë fjalëve të përsëritura shpesh nga Papa Françesku. Trafiku i shndërron njerëzit në mall tregu, i shet e i shfytëzon në mënyra të ndryshme, nga më të papërfytyrueshmet. “E nuk duhet harruar se shumëkush nuk arrin as ta njohë e as kuptojë natyrën e këtij problemi të turpshëm”. E pra - vijoi të kujtojë imzot Janusz Urbanczyk, “në botë ka më se 40 milionë viktima të trafikut e të shfrytëzimit, ¼ e të cilave, 10 milionë njerëz, janë nën moshën 18 vjeçe, ndërsa një në çdo dhjetë  viktima të shfrytëzimit seksual në botë, është nën moshën 8 vjeçe.

Pasojat e pandemisë

E historia vijon edhe më e trishtueshme: pandemia e Covid -19 “i ndryshoi modelet e zakonshme të trafikut e të shfrytëzimit”, duke thelluar përdorimin  e komunikimit e të shpërdorimit  on line, gjë që i thelloi e i nxori në plan të parë edhe pabarazitë ekonomike dhe shoqërore  sistematike, që duhen parë si shkaqet kryesore të trafikut të njerëzve. Ç’duhet bërë, atëhere? Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kujtoi “tri rrugët kryesore të luftës kundër trafikut”: parandalim, mbrojtje, partenariat, ky i fundit, shumë i rëndësishëm, ndaj për t’u forcuar - nënvizoi - mbasi mungesa e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të ndryshme i zhvleftëson politikat dhe programet e frymëzuara edhe nga ndjete shumë të mira.

Thirrje shteteve

Prej këndej, urimi që Shtetet të shkëmbejnë informacione me vlerë “për t’iu kundërvënë trafikut të njerëzve” dhe ta zgjidhin bashkërisht këtë problem kaq të mprehtë, duke thelluar bashkëpunimin dhe informacionin për udhët nëpër të cilat kalon trafiku. Thirrja ka vlerë për të gjithë. E që bashkëpunimi të jetë i frytshëm - përfundoi prelati - duhet të mbështetet edhe nga shoqëria civile, organizatat fetare dhe liderët fetarë, e jo më pak, edhe nga sektori ekonomik si dhe nga mediat, duke ndjekur, në këtë drejtim, edhe shembullin e grupit të Shën Martës. I ngritur më 2014-tën, me dëshirën e Papës Françesku, Grupi i Shën Martës përbëhet nga 100 delegatë të ardhur nga 30 vende të botës, me qëllim që ta shërojë “plagën shoqërore të trafikut të njerëzve, të lidhur me skllavërinë”. Në këtë organizëm bëjnë pjesë ipeshkvij, drejtues të forcave të rendit, meshtarë, rregulltare, përfaqësues të organizmave që luftojnë kundër trafikut. E në qëndër të vëmendjes, është dëgjimi i britmës së viktimave!  

01 shtator 2020, 14:08