“Si Jezu Krishti, të detyruar të ikin”: të bashkëpunojmë për të ndërtuar

Të dielën, do të kremtohet Dita Botërore e Migrantëve dhe e Refugjatëve 2020. Vijon fushata e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor.

R.SH. - Vatikan

“Ndërtimi i Mbretërisë së Zotit është impenjim i përbashkët për të gjithë të krishterët, prandaj, duhet të mësojmë të bashkëpunojmë në ‘unitetin e përsosur të mendimeve e të ndjenjave’ (1 Kor 1,10), siç këshillon Shën Pali”. Kështu pohon Papa Françesku, në paraqitjen e Mesazhit për Ditën 106-të Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve 2020 me titull: “Si Jezu Krishti, të detyruar të ikin”. Dita bie të dielën, 27 shtator.

Një nismë, që Kisha e kremton që nga viti 1914 për të dëshmuar shqetësimin e saj për kategoritë e ndryshme të njerëzve nevojtarë në lëvizje, për t’u lutur për ta, pasi përballen me shumë sfida dhe, për të ndërgjegjësuar botën mbi mundësitë, që jep migrimi.

Dikasteri për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor promovon që nga qershori, një fushatë në mjetet e komunikimit, përmes videove, që dëshmojnë gjendjen e atyre, të cilët detyrohen të ikin nga adheu. Në këtë video të gjashtë, tregohet historia e Lorena Margarita, e cila u detyrua të largohej nga fshati i saj Chibolo, në Kolumbi, për shkak të dhunës. Një ikje, që e detyroi të linte gjithçka papritmas, pas zjarrit në fermën e të atit. Në San Benito, falë ndihmës së jezuitëve, mundi të fillojë sërish veprimtarinë dhe ta rindërtojë jetën nga e para. “Duhet luftuar për ëndrrat”: ky është mesazhi i Lorenës për këtë Ditë, që askush të mos dorëzohet edhe kur gjithçka duket e humbur.

24 shtator 2020, 13:38