Vatikan: audiencat e përgjithshme në praninë e besimtarëve, rifillojnë
R. SH. - Vatikan
Audienca e përgjithshme nuk do të mbahet më nga Pallati Apostolik, siç po ndodh prej muajsh, por në një hapësirë tejet interesante të këtij Pallati, në Oborrin e Shën Damasit, duke respektuar normat anti-Covid. Lajmin e ri e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, që na kujton se duke nisur nga muaji shtator, në audiencat e përgjithshme do të mund të marrin pjesë të gjithë ata, që dëshirojnë. Hyrja do të jetë e lirë, duke nisur që nga ora 07.30.
“Duke respektuar kërkesat shëndetësore të autoriteteve, audiencat - lexohet në komunikatë - do të mbahen në Oborrin e Shën Damasit të Pallatit Apostolik duke nisur nga ora 09.30”. “Pjesëmarrja - saktëson nota - është e lirë për të gjithë ata, që dëshirojnë, pa pasur nevojë për biletë. Hyrja do të nisë nga ora 07.30 nga Porta e Bronzit, më të djathtën e Kolonatit të Shën Pjetrit”.