Assunzione di Maria - Dormizione, Cluj-Napoca Assunzione di Maria - Dormizione, Cluj-Napoca 

Nata e festës të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Maria na tregon të vetmen gjë, për të cilën kemi nevojë

Kisha na fton të kundrojmë të vërtetën ngushëlluese të fesë, të Ngjiturit e Marisë në Qiell me korp e me shpirt. Pas vuajtjes, vjen lavdia: shndërrim drejt të cilit shkon çdo njeri dhe mbarë gjithësia. Maria nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote.

R.SH. - Vatikan

Nesër Kisha katolike më 15 gusht kremton solemnitetin e Të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell. Ky solemnitet i Ngjiturit të Zojës në Qiell, festa më e lashtë mariane, është tejet i dashur dhe i kremtuar nga besimtarët e krishterë kudo në botë.

Me rastin e këtij kremtimi, Kisha na fton të kundrojmë të vërtetën ngushëlluese të fesë, të Ngjiturit e Marisë në Qiell me korp e me shpirt. Pas vuajtjes, vjen lavdia: shndërrim drejt të cilit shkon çdo njeri dhe mbarë gjithësia. Ajo, Maria nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote. Eva e re ndoqi pas Adamin e ri në vuajtje, në mundime e edhe në gëzimin përfundimtar. Jezu Krishti është fryti i parë, por korpi i Tij i Ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë, e në Të, gjithë njerëzimi përfshihet në ngjitjen drejt Hyjit.

Nuk është përrallë, por realitet, mister që i zbulohet të vegjëlve, sepse Zoti i bën krenarët ta ulin kokën, ndërsa i ngre lart të përvuajturit. Sigurisht nuk janë arsyetimet që na bëjnë t’i kuptojmë këto realitete kaq të larta, por feja e thjeshtë, e çiltër, e heshtja e uratës, që na ndihmon të flasim me Zotin e të ndjejmë sesi vetë Zoti i flet zemrës sonë. Një gjë e vetme është e nevojshme. E kjo festë na kujton dhe na fton të kërkojmë gjërat kryesore, pa e humbur kurrë shpresën në Zotin përballë vështirësive të jetës. Të zënë me punët e përditshme, rrezikohemi të mendojmë se është këtu, në këtë botë, në të cilën jemi thjesht kalimtarë, qëllimi i fundmë i jetës njerëzore. Ndërsa është Parajsa caku i vërtetë i shtegtimit tonë tokësor. Sa të ndryshme do të ishin ditët tona, në se do të jetoheshin në këtë perspektivë.

Dëshmia e krishterë, pra, lind pikërisht nga të jetuarit e fesë në mënyrë të thjeshtë, si Maria. Përballë shfaqjes së trishtuar të gjithë këtij gëzimi kalimtar, shpesh edhe të rremë, e njëkohësisht të gjithë kësaj dhimbjeje plot ankth, që vërshon mbi botën, duhet të mësojmë nga Virgjëra Mari për t’u bërë shenja shprese e ngushëllimi e për ta kumtuar, me jetën tonë, Ngjalljen e Krishtit.
Në Librin e Zulesës së Shën Gjonit Apostull (Zb 11, 19; 12, 1-6.10) Kisha personifikohet me Marinë, që sulmohet nga një dragua i madh i kuq, simbol i pushtetit të perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni te Domiciani: pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik. Përballë këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë. 

Duke u ngjitur në Qiell, Maria nuk u largua nga ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë dhe historinë e mbarë njerëzimit. Të gjithë,pra, kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo çast të jetës sonë. E që të mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin fat, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve. Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë tokësor, gëzimin dhe paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsës. Prej këndej, Kisha kërkon ndërmjetësimin e Virgjërës për paqe në mbarë botën e për shërimin e njerëzimit nga pandemitë trupore e shpirtërore.

14 gusht 2020, 14:33