Shenjtërorja e Zojës Lurdë Shenjtërorja e Zojës Lurdë 

Atë Cabanac: Parolin në Lurdë, shenjë mbështetjeje e shprese

Drejtori i shtegtimit kombëtar francez në Lurdë, flet për rëndësinë e rikthimit të jetës në shenjtëroret mariane, tek këmbët e Pirenejve. Për Solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell përgatitet Mesha me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.

R. SH. - Vatikan

Me kremtimin eukaristik në Kishën e Shën Bernardetës, kryesuar nga imzot Antoine Herouard, nisi dje shtegtimi i 147-të vjetor francez në Shenjtëroren e Lurdës.

Shtegtarë nga mbarë Franca

Për shkak të masave të marra për të frenuar pandeminë, shtegtimi, që vijon  të zhvillohet nga 12 deri më 17 gusht, sivjet ka shumë më pak shtegtarë se zakonisht. Rreth 500 vetë, përfaqësues të 22 komiteteve rajonale, do të  jenë të pranishëm në shenjtërore, të koordinuar nga familja e agostinianëve të të Ngjiturit të Zojës Qiell, nga Hospitalité Notre Dame de Salut e nga Shoqata Zoja e Shëlbimit.

Lurdë, nisi shtegtimi kombëtar francez

Këto ditë do të jenë shenjë e madhe shprese e kthimi në fe, jetuar në bashkësi për të gjithë katolikët e botës, siç e dëshmon edhe inkurajimi që do të vijë nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili do të kryesojë Meshën në Lurdë, pikërisht në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell.

Atë Cabanac: shtegtimi, shenjë shprese

“Në këtë kohë pandemie, për ne ishte themelore të vijonin shtegtimet, si shenjë shprese, posaçërisht për të sëmurët, që nuk mund të vijnë në Lurdë”. Kështu shprehet atë Vincent Cabanac, drejtor i Shtegtimit Kombëtar, në Vatican News, duke theksuar aspektet kryesore të shtegtimit 2020:

“Do të jetë shtegtim, i cili nuk do të jetohet vetëm në Lurdë - vijon - por në të gjitha viset e Francës, ku jetojnë njerëz të sëmurë”.

Atë Cabanac kujton disa shenja normaliteti, që e shoqërojnë  rifillimin e shtegtimeve në Shenjtërore:

“Nuk mund të hyhet ende në Shpellë për t’u zhytur në pishinat, por mund të pihet uji, mund të lahet fytyra e të merret pjesë në Udhën e Kryqit. Çdo ditë përmirësohet mundësia për t’i jetuar të gjitha etapat e shtegtimit të vërtetë në këto vise aq të dashura për besimtarët e shëndoshë e të sëmurë”.

Franca, nën mbrojtjen e Marisë

Drejtori shpjegon domethënien që ka Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell për shtegtarët francezë:

“Në Lurdë, Zoja tha ‘unë jam e Papëlyera’, e kjo flet për fillimin e planit të Zoti ndaj Marisë. Ndërsa kur kremtohet “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell”, flitet për fundin e jetës tokësore të Marisë. E kjo për ne do të thotë  se duhet ta ndjekim nga fillimi, deri në fund të jetës së saj. Ka shumë rëndësi të kuptohet kjo e edhe të nënvizohet fakti se Franca i është kushtuar Marisë prej shekujsh”.

Mbështetja e kardinalit Parolin

Rregulltari  francez shpreh, në përfundim, kënaqësinë e tij për praninë e kardinalit Pietro Parolin:

“Sekretari i Shtetit të Vatikanit e pati pranuar ftesën tonë për të ardhur në Lurdë e, pavarësiht nga pandemia, deshi ta mbajë fjalën e dhënë. Është nder ta presim e të kemi mbështetjen e tij gjatë këtij shtegtimi të jashtëzakonshëm”.

14 gusht 2020, 10:12