Kongregata për Doktrinën e Fesë, Vatikan Kongregata për Doktrinën e Fesë, Vatikan

Udhëzues për procedurat e trajtimit të rasteve të abuzimit me të miturit

Kongregata për Doktrinën e Fesë boton një “Udhëzues” për të orientuar, hap pas hapi, ata që, duhet të hetojnë për të nxjerrë në dritë të vërtetën kur një i mitur abuzohet nga një klerik.

R.SH. - Vatikan

Një përgjigje e saktë dhe e përpiktë për të ashtuquajturat “FAQ”, ose për pyetjet më të shpeshta: në thelb, ky është Udhëzuesi i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, që, në më se 30 faqe dhe 9 kapituj, u përgjigjet pyetjeve kryesore për disa çështje të procedurës së trajtimit të rasteve të abuzimit seksual të të miturve nga ana e anëtarëve të klerit. Nuk është fjala për një tekst normativ, ose për ligje të reja, por për një doracak, që synon të ndihmojë juristët, të cilët duhet ta kthejnë në veprime konkrete normativën kanonike mbi “delicta graviora” (krimet e rënda), plagë e dhimbshme për Kishën.

Kërkuar gjatë Takimit për mbrojtjen e të miturve në Kishë, mbajtur në Vatikan në shkurt 2019, me pjesëmarrjen e kryetarëve të Konferencave Ipeshkvore të gjithë botës, ky Udhëzues bëhet i ditur në versionin e mbiquajtur “1.0”, pasi parashikon përditësime periodike, sipas ndryshimeve në legjislacionin aktual, ose në praktikën e Kongregatës.

Burimet juridike të tekstit

 Çfarë quhet krim i rëndë, si bëhet hetimi paraprak, cilat janë procedurat e mundshme penale: këto janë disa nga pyetjet, të cilave u jepet përgjigje, duke u bazuar në Kodet aktuale, në Motu proprio-n e Papës Gjon Pali II “Sacramentorum Sanctitatis Tutela”, që daton në vitin 2001, rishikuar nga Benedikti XVI më 2010, si edhe në Motu proprio-n e Papës Françesku “Vos estis lux mundi”, miratuar në vitin 2019. Merren parasysh edhe ndryshimet e normativave ndërmjet Kishave Lindore dhe Kishës Latine.

Mirëpritja, dëgjimi dhe shoqërimi i viktimave

Në veçanti, janë katër, nevojat që dalin nga Udhëzuesi: së pari, mbrojtja e njeriut si i tillë. Autoriteteve kishtare u kërkohet të “impenjohen në mënyrë që viktima dhe familja ku bën pjesë, të trajtohen me dinjitet dhe respekt”. U duhet ofruar atyre “mikpritje, dëgjim dhe shoqërim, edhe përmes shërbimeve të veçanta, si ndihma shpirtërore, mjekësore dhe psikologjike”. “E njëjta gjë mund të bëhet edhe me të akuzuarin”, thekson doracaku. Kujtohet gjithashtu rëndësia e ruajtjes së “reputacionit të mirë të njerëzve të përfshirë” në çështje, megjithëse, në rast se vihet në rrezik e mira e përbashkët, theksohet se njoftimi i lajmit për akuzën kundër abuzuesit nuk përbën shkelje të reputacionit.

Të drejtat e të akuzuarit

 Edhe kur duket qartë se krimi është kryer, shkruhet më tej në Udhëzues, të akuzuarit duhet t’i garantohet gjithnjë e drejta e mbrojtjes. Në kapitullin 9, nënvizohet se që në çastin e parë, pas njoftimit për abuzimin e mundshëm, “i akuzuari ka të drejtë të paraqesë kërkesën për t’u liruar nga të gjitha detyrimet, që lidhen me statusin e tij si klerik, duke përfshirë celibatin, e, sipas rastit, edhe kushtet rregulltare”. Kjo kërkesë duhet t’i dorëzohet me shkrim Papës përmes Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Gjithashtu, i akuzuari mund të apelojë kundër një procedure penale ose administrative, ndërsa vendimi i Atit të Shenjtë është i pakthyeshëm.

Verifikimi i kujdesshëm i çdo informacioni

 Një aspekt i dytë, që del nga Udhëzuesi, është nevoja për verifikimin e kujdesshëm të çdo informacioni për rastet e abuzimit. Edhe kur nuk ka pasur ndonjë padi zyrtare, edhe kur lajmet janë përhapur vetëm nga mjetet e komunikimit masiv, përfshirë edhe rrjetet shoqërore në internet, edhe kur burimi është anonim, dokumenti sugjeron që të vlerësohet me kujdes çdo informacion. Natyrisht, mbetet i vlefshëm sekreti sakramentor i rrëfimit. Meshtari, që e rrëfen të penduarin, duhet ta bindë atë t’u drejtohet organeve kompetente.

Sekreti zyrtar dhe komunikatat publike

  Aspekti i tretë ka të bëjë me komunikimin. Kërkohet respekti për “sekretin zyrtar”, megjithëse nënvizohet se gjatë hetimit paraprak, viktima dhe dëshmitarët nuk janë të detyruar të heshtin, por natyrisht, u kujtohet se është mirë të mos flitet sikur çështja të ketë përfunduar e faktet të jenë sqaruar. Njëkohësisht, shpjegohet se në rastet kur autoritetet civile japin urdhër për dorëzimin e dokumenteve, Kisha nuk mund të garantojë më konfidencialitetin e tyre. Një paragraf u kushtohet deklaratave publike në fazën hetimore, duke kërkuar që të mos përdoren “fjalë të bujshme” e të mos kërkohet paraprakisht falje në emrin e Kishës, sepse kjo do të përbënte një gjykim përfundimtar mbi faktet, jo i drejtë në këtë fazë.

Bashkëpunimi ndërmjet shtetit e Kishës

  E aspekti i katërt ka të bëjë me bashkëpunimin e Kishës me shtetin. Për shembull, theksohet se “edhe në mungesë të një detyrimi ligjor, autoriteti kishtar duhet të paraqesë denoncim pranë autoriteteve civile kompetente sa herë që e konsideron të domosdoshme për të mbrojtur personin e fyer, ose të miturit e tjerë nga rreziku i veprimeve të mëtejshme kriminale”. Njëkohësisht, kujtohet se “hetimi duhet kryer, duke respektuar ligjet civile të çdo shteti”.

Të shmanget transferimi i klerikëve të akuzuar

Së fundi, disa këshilla të veçanta. Masat paraprake, nënvizohet në Udhëzues, nuk janë një dënim, por një veprim administrativ i domosdoshëm për të mbrojtur reputacionin e mirë të personave të përfshirë në çështje, si edhe të mirën e përbashkët. Gjithashtu, merren për të shmangur shkandullin, fshehjen e provave, ose kërcënimet e mundshme kundër viktimës. Pas përfundimit të procesit, masat paraprake mund të hiqen, por gjithnjë, duke gjykuar me maturi. Këshilla e dytë ka të bëjë me përdorimin e terminologjisë “pezullim ‘a divinis’”, që tregon se një kleriku të caktuar i është ndaluar të ushtrojë shërbimin e tij meshtarak, si masë paraprake. Në Udhëzues sugjerohet “të shmanget ky emërtim” gjatë fazës së hetimit paraprak, sepse është fjala për një dënim që, në këtë fazë, “akoma nuk mund të imponohet”. Në vend të tij, duhet përdorur termi “ndalim, ose moslejim”. Gjithashtu, gjatë hetimit paraprak, nuk duhet të transferohet anëtari i klerit, i përfshirë në ndonjë çështje abuzimi.

16 korrik 2020, 15:01