Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Luis F. Ladaria, jezuit Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Luis F. Ladaria, jezuit

Ladaria: Udhëzuesi për trajtimin e abuzimeve do të përditësohet me kontributin e Kishave të botës

Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Luis F. Ladaria, jezuit, paraqet Udhëzuesin e ri të Vatikanit për trajtimin e çështjeve të abuzimit me të miturit nga ana e anëtarëve të klerit.

R.SH. - Vatikan

“Udhëzuesi mbi disa pika proceduriale në trajtimin e rasteve të abuzimit seksual me të miturit, kryer nga klerikët”, që u botua dje nga Vatikani, lind pas kërkesave të shumta të ipeshkvijve, eprorëve të Instituteve rregulltare dhe Shoqërive të jetës apostolike, drejtuar Kongregatës për Doktrinën e Fesë, për të pasur në dispozicion një mjet ndihmës në detyrën delikate të trajtimit të këtyre çështjeve. Kështu sqaron prefekti i vetë Kongregatës, kardinali Luis F. Ladaria, jezuit, në faqen tonë të internetit, Vatican News.

Kohët e fundit, nënvizon kardinali, Kisha i ka kushtuar vëmendje të madhe kësaj teme, me dëshirën e mirë për të nxjerrë në pah të vërtetën e dëshmuar me fakte. Por normat dhe praktikat e ndjekura janë shpesh të vështira për t’u kuptuar nga ata, që nuk janë juristë. Prandaj, Kongregata për Doktrinën e Fesë hartoi Udhëzuesin, i cili synon të ndihmojë ipeshkvijtë dhe eprorët në shqyrtimin e këtyre rasteve, plagë e dhimbshme për Kishën. Është fjala për një doracak, që i udhëzon si të veprojnë që nga çasti i njoftimit të parë për një krim të mundshëm abuzimi (notitia de delicto) e deri në përfundimin e çështjes gjyqësore (res iudicata). Ndërmjet këtyre dy skajeve ka kohë, që duhen respektuar, hapa që duhen bërë, komunikime për t’u aktivuar dhe vendime për t’u marrë.

Kërkesa për këtë Udhëzues u zyrtarizua në Takimin për mbrojtjen e të miturve në Kishë, mbajtur në Vatikan, nga 21 deri më 24 shkurt 2019, me pjesëmarrjen e krerëve të Konferencave Ipeshkvnore të botës. Në atë rast, Ati i Shenjtë dha 21 pika reflektimi për të orientuar punimet. Në të parën prej tyre, thuhej: “Të hartohet një Udhëzues praktik, ku të saktësohen hapat, që duhen ndërmarrë nga autoritetet, në të gjitha çastet kryesore të emergjencës së një çështjeje”. Propozimi u zbatua nga pjesëmarrësit, të cilët, në konferencën përfundimtare për shtyp, dhanë edhe lajmin se ky doracak do të realizohej në të ardhmen. E siç shihet, ka kaluar vetëm një vit nga ajo ditë.

Kongregata për Doktrinën e Fesë, që është marrë me përpilimin e Udhëzuesit, është bazuar në tekstet e mëparshme vatikanase, nënshkruar si nga Papa Benedikti XVI, ashtu edhe nga Papa Françesku. Gjithashtu, mori mendimin e shumë ekspertëve të ligjeve kishtare dhe të dioqezave lokale, që kanë pasur probleme abuzimi me të miturit.

 Duke u nisur nga kjo përvojë, Udhëzuesi u dorëzua dje në versionin fillestar, të mbiquajtur “1.0”, pikërisht sepse parashikon përditësime të ardhshme. Përveç zhvillimeve të ligjit kishtar, ai do të marrë parasysh, nënvizon kardinali Ladaria, edhe mendimet dhe opinionet e realiteve të ndryshme kishtare nëpër botë: dioqeza, institute, fakultete kishtare, qendra dëgjimi për problemin e abuzimeve, ngritur në nivelin dioqezan dhe ndërdioqezan. Kontributi i tyre do të korrigjojë, integrojë, saktësojë e sqarojë ato pika, që do të kërkojnë një reflektim më të thelluar.

17 korrik 2020, 11:54