Kardinali Angelo Becciu Kardinali Angelo Becciu

Becciu: kundrimi e veprimi janë përmasat e shërbimit kishtar

Në përkujtimin liturgjik të Shën Martës, sot në Romë, prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve kryesoi meshën, gjatë së cilës 30 murgesha të Kongregatës “Marta dhe Maria” bënë kushtet e përjetshme.

R.SH. - Vatikan

Zemra e Marisë dhe duart e Martës, ose kundrimi dhe veprimi: këto janë dy përmasat e shërbimit kishtar, që kujtoi kardinali Giovanni Angelo Becciu, në meshën e kremtuar sot në kishën romake të Shën Eugjenit. Përpara tij, tridhjetë vajza, që bënë kushtet e përjetshme si murgesha të Kongregatës “Marta y Maria”. “Ngjarje e mrekullueshme”, e quajti kardinali; ngjarje, që i tregon botës sesa “bukur është t’ia ofrosh jetën Zotit” dhe “t’u shërbesh vëllezërve”. Ndërsa bota tërheq drejt vendimeve të tjera, që largojnë nga feja, këto vajza shkuan kundër rrymës, nënvizoi kardinali, e, me dëshminë e tyre, na tregojnë “shtigjet e Mbretërisë së Zotit”, ato, që ka rrezik të mos i shohim “në mesin e zhurmave shurdhuese të përditshme”.

Mësimi i Marisë dhe i Martës

          Maria dhe Marta, vijoi kardinali Becciu, janë modele për t’u ndjekur: a para na mëson të “zgjedhim pjesën më të mirë”, t’i japim Zotit vendin e parë në jetën tonë, ashtu siç tregohet në Ungjill, ku Maria ishte ulur te këmbët e Jezusit dhe e dëgjonte. Marta, nga ana tjetër, na ndihmon të kuptojmë se shërbimi nuk duhet jetuar me ankth, por me bujari e, sidomos, duke dëgjuar Fjalën e Hyjit. Shërbimi nuk është thjesht, punë, por zbatim i asaj, që dëgjon, të cilën e kthen pastaj, në dashuri konkrete.

Lutje e përkushtim

Shërbimi kishtar duhet të karakterizohet nga dy qëndrime: nga njëra anë, dëgjimi i Jezu Krishtit e lutja; nga ana tjetër, përkushtimi në shërbimin për vëllezërit në nevojë, duke pasur parasysh se ky është rezultati i qëndrimit të parë. Së fundi, duke falënderuar murgeshat për punën dhe praninë e tyre në botë, kardinali Becciu i nxiti të përballen me “guxim e krijimtari me sfidat e kohës”, duke iu përgjigjur hedonizmit, etjes për fitim, individualizmit dhe relativizmit të sotëm me dëshminë e dlirësisë, të jetës së thjeshtë dhe vëllazërore dhe me shërbimin për të tjerët.

Historia e Kongregatës

          Themeluar më 6 janar 1979 në Ciudad de Jalapa, Guatemala, Kongregata “Marta y Maria” lindi me dëshirën e ipeshkvit vendas, imzot Miguel Ángel García y Aráuz, dhe të nënës eprore Ángela Eugenia Silva Sánchez. E pranishme në vende të ndryshme të Amerikës Latine, në Afrikë dhe Evropë, sot Instituti ka rreth 700 rregulltare. Karizma e tij përmblidhet “në dashurinë për Krishtin e pranishëm në Kishë, në Eukaristi dhe në ata, që vuajnë fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht, shprehur përmes kujdesit për ta me duart e Martës dhe me zemrën e Marisë”.

29 korrik 2020, 14:40