“We run together”: më 8 qershor nis ankandi i bamirësisë, promovuar nga Papa

Përgjigjja solidare e sportit – sipas vlerave të Papës Françesku – kundër frikës dhe dhunës e sidomos, kundër racizmit: kjo është nisma “We run together” (Ne vrapojmë së bashku), një ankand sportiv e solidar, promovuar nga Ati i Shenjtë. E organizuar nga skuadra “Athletica Vaticana”, do të nisë më 8 qershor, në platformën www.charitystars.com, në favor të personelit shëndetësor, që lufton heroikisht kundër koronavirusit, si në spitalet-simbol të Bergamos e të Brescia-s.

R.SH. - Vatikan

Në një kohë kur pandemia nuk lejon “të vrapohet me këmbë”, mund “të vrapohet me zemër”: kështu tha Papa Françesku më 20 maj, në takimin me promovuesit e nismës “We run together” (Ne vrapojmë së bashku). Më 21 maj, organizuar nga “Athletica Vaticana” (skuadra e atletikës e Vatikanit), kampionë olimpikë nga e gjithë bota do të ishin mbledhur së bashku me atletë, që kanë probleme fizike e mendore, me atletë emigrantë e të burgosur, për të nënvizuar ato vlera solidare të sportit, që i pëlqejnë Atit të Shenjtë.

Garë solidariteti

Pandemia e koronavirusit e bëri të pamundur takimin, por nuk i ndali organizatorët, të cilët, më 8 qershor, në platformën www.charitystars.com, promovojnë një ankand bamirësie në favor të personelit shëndetësor, që punon në spitale si ato të Bergamos e Brescia-s, në Itali. Vetë Papa ka vënë në dispozicion disa objekte sportive, për t’u nxjerrë në ankand, si biçikleta e personalizuar me emrin e Françeskut dhe me ngjyrat e flamurit të Vatikanit e të Argjentinës, dhuruar nga kampioni botëror i çiklizmit Peter Sagan. Edhe kampionë nga e gjithë bota e nga të gjitha sportet po japin objekte sportive për ankandin. Disa prej tyre i kanë hapur dyert e shtëpive, në mënyrë që njerëzit t’i shohin duke u stërvitur, për të dëshmuar se sporti është vërtet pjesë e “kulturës së takimit”. Nga mesdita e së hënës, 8 qershor, duke hyrë në faqen e internetit “charitystars”, secili mund të marrë pjesë në këtë “garë solidariteti”.

Ndër kampionët, Totti e vëllezërit Abbagnale

Çdo javë, atletët do të alternohen me propozimet e tyre. Të hënën fillohet me biçikletën e Saganit, por edhe me bluzën e Alex Zanardit, me të cilën piloti i Formula Uno-s, mbetur pa këmbë, fitoi medaljen e artë në Paralimpiadën e Rio de Zhanejros. Pastaj, bluza e skuadrës së futbollit të Romës dhe shiriti i firmosur nga kapiteni Francesco Totti; kostumi i notit dhe kufja e firmosur nga kampionia italiane Federica Pellegrini e shumë të tjerë. Vëllezërit Abbagnale, simbole të kanotazhit, hapin dyert e shtëpisë së tyre në Castellammare di Stabia e, më pas, kampionë të skermës, por edhe skuadra futbolli si Juventusi, Milani, Lazio e, madje, edhe firma të njohura për garat me makina, si Ferrari e Lamborghini.

Donacionet dhe pjesëmarrësit

 Me skuadrën vatikanase të atletikës “Athletica Vaticana” bashkëpunojnë grupi sportiv i Rojes së Financës “Fiamme Gialle”, Oborri i Jo Besimtarëve dhe Fidal-Lazio (dega laciale e Federatës Italiane të Atletikës). Të gjitha lajmet e njoftimet, që lidhen me ankandin e bamirësisë, mund të gjenden në faqen tonë Vatican News, por edhe në www.athleticavaticana.org, www.cortiledeigentili.com, www.fiammegialle.org e në rrjetet shoqërore të këtyre organizmave. Kushdo mund ta mbështesë nismën me një donacion, edhe pa marrë pjesë në ankand.

05 qershor 2020, 11:12