Vatican News

Vatikan: miratohet Kodi Unik për kontratat dhe tenderat

Ligji përmban norma të vlefshme për Selinë e Shenjtë dhe për Shtet-Qytetin e Vatikanit: transparencë, kontroll i centralizuar dhe konkurrencë në procedurat e tenderimit. Do të lejojë një administrim më të mirë të fondeve dhe do të zvogëlojë rrezikun e korrupsionit.

R.SH. - Vatikan

Mbërrin në Vatikan kodi për kontratat dhe tenderat, fryt i katër viteve të punës së enteve të ndryshme të Selisë Apostolike. Tani e tutje, ai do të shërbejë si pikë referimi e vetme për të gjitha realitetet vatikanase. Është fjala për një tekst, me titull “Normat mbi transparencën, kontrollin dhe konkurrencën e kontratave publike të Selisë së Shenjtë dhe të Qytetit të Vatikanit”, që përbëhet nga 86 nene, të cilëve u shtohen 12 të tjerë, për mbrojtjen juridike, në raste procesesh gjyqësore. Ky legjislacion i hollësishëm, i cili u publikua sot përmes një Motu proprio të Papës Frnçesku, merr parasysh Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, nënshkruar në Merida dhe, zëvendëson rregulloret e mëparshme në fuqi në APSA (Administrimi i Trashëgimisë së Selisë Apostolike) dhe në Guvernatorat, duke u shtrirë edhe në të gjitha entet e Selisë së Shenjtë, që deri tani, nuk kishin ligje të veta për kontratat dhe tenderat.

Si atë i mirë për familjen

“Kujdesi i atit të mirë për familjen - shkruan Papa Françesku - është parimi i përgjithshëm që duhet respektuar maksimalisht e, mbi bazën e të cilit duhet t’i kryejnë detyrat e tyre të gjithë administratorët”. Mundësia e zgjedhjes ndërmjet ofertave të shumta është vendimtare për ekonominë, shpjegon Ati i Shenjtë, sidomos “në administrimin e pasurive publike, ku ndihet më shumë e më urgjentisht nevoja për një administrim besnik e të ndershëm”. Rregullat, lexohet në Motu proprio, shërbejnë “për të favorizuar transparencën, kontrollin dhe konkurrencën në procedurat për nënshkrimin e kontratave publike, për llogari të Selisë së Shenjtë dhe Shtetit” të Vatikanit. Firmave të ndryshme, që ofrojnë mallra, shërbime, punime dhe vepra, do t’u garantohen “trajtim e mundësi të barabarta pjesëmarrjeje, përmes një Regjistri të veçantë”dhe procedurave specifike.

Qëllimi i normativës

Neni i parë shpjegon qëllimet e ligjit të ri, si: përdorimi i qëndrueshëm i fondeve të brendshme, transparenca e procedurave të vendimmarrjes, “trajtim i barabartë dhe mosdiskriminim i tenderuesve, veçanërisht përmes masave për t’iu kundërvënë marrëveshjeve të paligjshme, përsa i përket konkurrencës dhe korrupsionit”.

Parimet themelore

Në nenin 5 renditen parimet themelore, si: “etika në orientimin e vendimeve ekonomike dhe në zgjedhjen e bashkëbiseduesve, sipas parametrave, që respektojnë Doktrinën Shoqërore të Kishës; autonomia administrative dhe subsidiariteti në vendimet për administrimin e Entit; bashkëpunimi i ndershëm ndërmjet Enteve dhe drejtorive të ndryshme të Guvernatorit”, në mënyrë që të sigurohet “përdorimi me ekonomi, frytshmëri dhe prodhimtari” i fondeve, si edhe “planifikimi dhe racionalizimi i shpenzimeve”, duke shmangur operacione të panevojshme. Sidomos, kërkohet në tekst, të realizohet një procedurë “transparente, objektive dhe e paanshme” për dhënien e tenderave e të kontratave.

Pa konflikt interesi

Janë marrë masa kundër konfliktit të interesit dhe marrëveshjeve të paligjshme, që cënojnë konkurrencën dhe i hapin dyert korrupsionit. Kështu, shmanget “çdo kapërcimi i paligjshëm i konkurrencës dhe sigurohet trajtimi i barabartë ndërmjet gjithë veprimtarëve ekonomikë”.

Arsyet e përjashtimit

Përjashtohen nga prania në Regjistrin përkatës dhe nga pjesëmarrja në tendera, ata veprimtarë ekonomikë (firma apo ndërmarrje), që, në çastin e aplikimit, u janë nënshtruar hetimeve, masave kufizuese, ose janë dënuar në shkallën e parë të gjykimit, sepse kanë marrë pjesë “në ndonjë organizatë kriminale, janë përfshirë në korrupsion, mashtrim, vepra terroriste”, “pastrim parash”, ose në “shfrytëzimin e punës së fëmijëve”. Ndërmjet arsyeve të përjashtimit nga tenderat, hyn edhe mosrespektimi i “detyrimeve që lidhen me pagimin e taksave, ose të kontributeve të sigurimeve shoqërore, sipas normave të vendit ku jeton” tenderuesi, si edhe zhvendosja e rezidencës së tij në shtete “me regjime të privilegjuara tatimore”.

Centralizimi

Me disa përjashtime, “të gjitha mallrat dhe shërbimet blihen nga entet vatikanase në mënyrë të centralizuar”, përndryshe kontrata bëhet e pavlefshme. “Autoritetet e centralizuara”, lexohet në nenin 15, janë APSA, që përgjigjet për “dikasteret e Kuries Romake” dhe për institucionet e lidhura me Selinë e Shenjtë, si edhe Guvernatorati. Parashikohen përjashtime nga parimi i centralizimit, por duhet të shpjegohen e të justifikohen siç duhet. Sekretaria për Ekonominë, pasi merr mendimin e APSA-s, me një procedurë të përbashkët me Guvernatoratin do të publikojë dhe do të azhurnojë çdo gjashtë muaj “listën e çmimeve dhe tarifat për mallrat dhe shërbimet”, së bashku me koston e punës së profesionistëve, të pranishëm në Regjistër: llogaritë bëhen duke marrë parasysh çmimet dhe tarifat në tregjet, ku furnizohen entet e Vatikanit. Këto të fundit duhet t’i planifikojnë blerjet brenda datës 31 tetor të çdo viti.

Punonjësit e Vatikanit në komisionet vendimmarrëse

Në Sekretarinë për Ekonominë, do të hartohet një listë punonjësish dhe profesionistësh të përkohshëm, të autorizuar për të kryer funksionin e ekspertit dhe të anëtarit të komisionit vendimmarrës. Do të zgjidhen sipas kualifikimit të tyre profesional. Sqarohen me hollësi të gjitha arsyet, për të cilat ata mund të përjashtohen nga lista, si për shembull,  lidhja farefisnore “deri në shkallën e katërt, ose të qenit ortak me subjektin tenderues gjatë pesë viteve para paraqitjes së ofertës.

Normat ndërkombëtare

Gjithnjë duke pasur parasysh parimet themelore dhe qëllimet e ligjit kishtar kanonik, si edhe veçoritë e Shtet-Qytetit të Vatikanit, me këtë Kod të ri Unik, Papa Françesku deshi të përfshijë në administrimin e Selisë së Shenjtë të gjitha normat e praktikat më të mira, në nivel ndërkombëtar.

01 qershor 2020, 12:00