Corpus Domini - Eucaristia Corpus Domini - Eucaristia 

Solemniteti i Korpit të Krishtit: historia e porosia

Solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit - "Corpus Domini", filloi të kremtohej që më 1264 kur, duke pranuar devocionet eukaristike të lindura në shekujt XII e XIII, për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë së Krishtit në lëndët e shuguruara, kjo festë u shtri në Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus.

R.SH. - Vatikan

Sot Kisha katolike kremton festёn e Korpit e Gjakut tё Krishtit. Disa fjalë mbi historinë dhe kuptimin e solemnitetit të Korpit të Krishtit

Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllimin që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e Gjallë e Vërtetë të Pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristsië. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin Eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e Korpit e të Gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1). Kremtimi eukaristik i këtij solemniteti, rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe të Pashkëve, na çon në Çenakull, ku Jezu Krishti themeloi Eukaristinë. 

Corpus Domini është kthim në misterin e së Enjtes së Madhe së Pashkëve, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit ‘për ta predikuar nga pullazet, atë që Ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin e janë të ftuar të gjithë njerëzit e botës. E këtu kujtojmë lidhjen e ngushtë, që na dhuroi Krishti, me aktualitetin e të përhershëm të sofrës hyjnore - Eukaristisë, që e nxit Kishën ta kremtojë e nxjerrë vazhdimisht Sakramentin e Korpit e Gjakut të Mësuesit Hyjnor jashtë nëpër rrugë e sheshe, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili edhe sot kalon nëpër rrugët tona njerëzore, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të përtërihet nga forca e dashurisë së Tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht. 

Solemniteti i Korpit e Gjakut të Shenjtnueshëm të Krishtit, i cili para mesharit të sotëm njihej me emrin latinisht "Corpus Domini", filloi të kremtohej që më 1264 kur, duke pranuar devocionet eukaristike të lindura në shekujt XII e XIII, për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë së Krishtit në lëndët e shuguruara, kjo festë u shtri në Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus.

Qe pikërisht ky Papë i cili e kremtoi personalisht festën e parë të Korpit të Krishtit në Orvieto (Itali), në verën e të njëjtit vit 1264, me solemnitet të madh. Në këtë kohë ndodhi edhe mrekullia e Bolsenës në Lazio tё Italisё, ku një meshtar bohem, Pjetri nga Praga, i cili kishte dyshime mbi praninë reale të e Krishtit në eukaristi, ndërsa kremtonte Meshën, pa sesi nga hostja e shuguruar nisi të pikonte gjak. I njoftuar për faktin e mrekullueshëm, Urbani IV ngarkoi ipeshkvin e Orvietos t'ia sillte linin shenjt të përgjakur dhe shkoi personalisht ta merrte këtë dëshmi kaq tronditëse të pranisë së Krishtit.

Në Romë kremtimi filloi që nga njëmijë e katërqinda, në kohën e papës Nikolla V, me Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe procesionin drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, që përshkohet nëpër rrugën Merulana qysh nga viti i largët 1575. Që prej tre shekujsh, Papët e ndryshëm që janë ulur në fronin e shën Pjetrit, kanë vijuar, me pak ndërprerje, të ndjekin të njëjtën rrugë, duke mbledhur miliona besimtarë rreth Eukaristisë, burim i bashkimit e ushqim kryesor për jetën e të pagëzuarëve. Secili besimtar ftohet në këtë solemnitet të ulet rreth sofrës eukaristike, ku ka vend për të gjithë, e të shijojë më mirë Praninë e Krishtit, që kremtohet çdo ditë e çdo vit.

11 qershor 2020, 09:19