Kryeipeshkvi Ivan Jurkovič në OKB-në e Gjenevës Kryeipeshkvi Ivan Jurkovič në OKB-në e Gjenevës 

Selia e Shenjtë në OKB: diskriminimi racor është krejtësisht i padurueshëm

Fjalimi i vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë Jurkovič në diskutimin urgjent, të thirrur nga OKB-ja e Gjenevës, me temë “Shkeljet aktuale të të drejtave të njeriut me frymë racore, racizmi sistematik, brutalitetet e policisë dhe dhuna kundër protestës paqësore”.

R. SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë pohon me forcë se diskriminimi racor, në të gjitha format e veta, është absolutisht i padurueshëm. Duke folur në takimin urgjent, mbajtur dje në OKB-në e Gjenevës, në kuadrin e sesionit të 43-të të Këshillit për të drejtat e njeriut, me temë: “Shkeljet aktuale të të drejtave të njeriut me frymë racore, racizmi sistematik, brutalitetet e policisë dhe dhuna kundër potestës paqësore”, vëzhguesi i përhershëm, kryeipeshkvi Ivan Jurkovič, i nxiti të gjitha shtetet t’i pranojnë, t’i mbrojnë e t’i promovojnë të drejtat themelore të çdo njeriu.

Nuk duhen mbyllur sytë

Të gjithë anëtarët e familjes njerëzore, të krijuar sipas shëmbëllimit të Zotit - kujtoi kryeipeshkvi Ivan Jurkovič - janë  të barabartë, me të njëjtin dinjitet, “pavarësisht nga raca, kombi, seksi, origjina, kultura e feja, së cilës i përkasin”.  Duke cituar fjalët e Papës Françesku, imzot Ivan Jurkovič kujtoi se “nuk është e mundur të tolerosh a të mbyllësh sytë para çdo tipi të racizmit ose forme të përjashtimit shoqëror, e njëkohësisht të pretendosh se mbron shenjtërinë e jetës njerëzore”.

Ka ardhur koha - vërejti me qortim prelati - t’u jepet fund paragjykimeve  dhe mosbesimit reciprok, që janë në bazë të diskriminimit, racizmit e ksenofobisë. “Askush - shtoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë - nuk duhet të ndjehet i izoluar, e askush nuk autorizohet të shkelë mbi dinjitetin e t’i nëpërkëmbë të drejtat e tjerëve”.

Duke i bërë jehonë pohimit të Françeskut në audiencën e përgjithshme të 3 qershorit, imzot Jurkovič kujtoi se dhuna është vetëshkatëruese e vetë dëmtuese. Asgjë nuk fitohet me dhunë. Gjithçka humbet!”.

 

19 qershor 2020, 11:08