Mesha Shenjte e Rrëshajëve Mesha Shenjte e Rrëshajëve  Editorial

Pa Shpirtin Shenjt, misioni është propagandë

Në homelinë e Rrëshajëve dhe në mesazhin për Ditën misionare botërore, Françesku preku përsëri temat dhe problemet, që i ndeshim në tekstin, dërguar kohët e fundit Veprave Papnore Misionare

R. SH. - Vatikan

Më 5 korrik 1968, duke folur në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit ekumenik të Kishave, Injaci, asokohe metropolit i Laodiecea-s - fliste për veprimin e Shpirtit Shenjt në jetën e Kishës dhe të çdo besimtari, me këto fjalë: “Ai është risia, që vepron në botë, është prania e Zotit me ne e bashkohet me shpirtin e tonë’. Pa Shpirtin, Zoti është larg, Krishti mbetet në të kaluarën, Ungjilli është letër e vdekur; Kisha thjesht organizatë, autoriteti sundim, misioni propagandë, kulti lutje e rëndomtë e veprimtaria njerëzore, moral skllevërish”.

Në ditën  e gëzimit të Rrëshajëve, që u bë edhe më e gëzueshme kur Papa u duk sërisht në dritaren mbi Sheshin e Shën Pjetrit, të ripopulluar me besimtarë, Kisha u bë përsëri e vetëdijshme për detyrën e saj misionare. Detyrë, që nuk buron nga projektet a planet baritore, por nga pasqyrimi i një dhurate të marrë, të jetuar në thjeshtësinë e në të përditshmen e jetës së krishterë. “Misioni, ‘Kisha në dalje’, nuk janë program, detyrë për t’u realizuar me përpjekje të vullnetshme - shkruan Françesku në Mesazhin për Ditën misionare botërore 2020, duke cituar një fragmet nga libri i tij- intervistë ‘Pa Të nuk mund të bëjmë asgjë!’ - Është Krishti ai, që e bën Kishën të dalë nga vetvetja. Në misionin për ta predikuar Ungjillin, ti vihesh në lëvizje, sepse të shtyn e të çon vetë Shpirti Shenjt”.

Në ditën e Rrëshajëve - tha Papa në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Pjetër, “zbulojmë veprën e parë të Kishës: kumtimin! E pra shikojmë se apostujt nuk përgatisin ndonjë strategji: kur ishin të ngujuar në çenakull, nuk bënin strategji, jo, nuk përgatisnin kurrfarë plani baritor…”. Si homelia, ashtu edhe mesazhi për Ditën Misionare lidhen me një mesazh tjetër të rëndësishëm, me atë që Françesku ua dërgoi pak ditë më parë Veprave Papnore Misionare (POM). Në këtë dokument - të arkivuar tepër shpejt ose të interpretuar si pohim të projekteve në vijim - Papa kujtoi se horizonti në misionin e Kishës është jeta e zakonshme e çdo dite, jo çenakujt elitarë, e se Jezusi i takoi dishepujt e tij të parë kur ishin të zënë me punën e tyre të përditshme, “jo në ndonjë takim a seminar formimi, e as në ndonjë tempull”. Rrjetit të Veprave Papnore Misionare Françesku  nuk u propozoi projektreforma, e as fondacion të ri. Duke folur për një rrezik të pranishëm e tejet aktual, u kërkoi POM të mos e ngatërrojnë çka është krejt e thjeshtë, duke i këshilluar të vijojnë të jenë mjete në shërbim të Papës e të Kishave vandase.

 

01 qershor 2020, 11:44