Koch: bashkimi i thellë e ndihmon udhën e ekumenizmit

Në 60-vjetorin e nisjes së udhës ekumenike, sipas dëshirës së Gjonit XXIII, Kryetari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve pohon se udha e përshkuar është e pasur me “zhvillime dhe progres”.

R. SH. - Vatikan

“Me gëzim të madh e angazhim të përhershëm, për një udhë pa kthim, siç e pohon me forcë Papa”. Kështu kardinali Kurt Koch, në një intervistë për mediat e Vatikanit, e kujton themelimin e Sekretariatit për promovimin e Unitetit të të krishterëve, më 5 qershor 1960, nga Shën Gjoni XXIII, që më pas, më 1988-tën, u bë Këshill Papnor. Hirësia e Tij kujton edhe tri shtyllat që, sipas tij, e mbështesin ekumenizmin: dialogu i bamirësisë, dialogu i vërtetësisë dhe bashkimi i thellë dhe i njëzëshëm i të gjithë besimtarëve në lutjen meshtarake të Krishtit: “Që të gjithë të jenë një gjë e vetme”. Horizont, ky i ekumenizmit, i ndjekur me vazhdimësi të pandërprerë nga të gjithë Papët e kohëve moderne.

Gjashtëdhjetë vjet më parë rrethanat ekumenike ishin krejt të ndryshme. Si mund t’i quajmë situatën ekumenike dhe sfidat e sotme?

“Në vitin 1960 lëvizja ekumenike, në formën e saj zyrtare brenda Kishës katolike, ishte ende në zanafillë. Në 60-vjetët e fundit u zhvilluan një mori takimesh e dialogesh, nga të cilat u arritën shumë rezultate pozitive. Gjithsesi, qëllimi i vërtetë i lëvizjes ekumenike, domethënë ribashkimi i plotë i Kishës, nuk është arritur akoma. Aktualisht, një nga sfidat më të mëdha është pikërisht mungesa e miratimit të plotë lidhur me atë, që është objektivi i ekumenizmit. Pranohet nevoja e unitetit, por nuk dihet ende çfarë forme duhet të ketë. Duhet një vizion i përbashkët, themelor për unitetin e Kishës. E hapat e ardhshëm mund të bëhen, vetëm nëse do të kemi menduar një objektiv të qartë”.

Udha ekumenike quhet shpesh edhe “shkëmbim dhuratash”. Si ka ndryshuar gjatë gjashtëdhjetë vjetëve ky impenjim i Kishës katolike? Ç’dhurata u ofroi Kisha jonë, të krishterëve të tjerë?

“Pas këtij përcaktimi, kemi bindjen se çdo Kishë mund të sjellë kontributin e vet të veçantë për rikrijimin e unitetit. Prej Kishave dhe bashkësive kishtare të lindura nga Reforma, Kisha katolike mësoi sidomos qendërsinë e Fjalës së Zotit në jetën e Saj, në kremtimet liturgjike e në mendimin teologjik. U fuqizua në ne vetëdija se feja vjen nga dëgjimi i Fjalës së Zotit e se Ungjilli i Jezu Krishtit duhet të jetë zemra e Kishës. Nga Kishat ortodokse, siç nënvizon herë pas here edhe Papa Françesku, mund të mësojmë shumë mbi sinodalitetin në jetën e Kishës dhe mbi kolegjialietin ndërmjet ipeshkvijve. Nga ana e saj, Kisha katolike mund t’i ofrojë si dhuratë të veçantë çështjes ekumenike, theksimin e universalitetit të Kishës. Meqenëse Kisha Katolike e jeton ndërlidhjen ndërmjet unitetit të Kishës universale e larmisë së Kishave lokale, mund të dëshmojë se uniteti e larmia nuk i kundërvihen njëra-tjetrës as në ekumenizëm. Përkundrazi, e mbështesin njëri-tjetrën”.

Ekumenizmi synon të arrihet në bashkimin e plotë të gjithë të krishterëve. Ç’është bërë konkretisht deri më sot?

“Të gjitha përpjekjet dhe veprimtaritë ekumenike duhet t’i shërbejnë qëllimit  të rivendosjes së unitetit të të krishterëve: është e nevojshme të sigurohemi herë pas here se ata vijojnë të ecin drejt këtij objektivi. Kjo vlen posaçërisht për dialogun e dashurisë, domethënë, të kujdesit për të pasur marrëdhënie miqësore ndërmjet Kishave të ndryshme. Ky dialog krijoi kushtet për kapëcimin e shumë paragjykimeve të së kaluarës e për një mirëkuptim më të plotë. Po aq i rëndësishëm është edhe dialogu  i vërtetësisë, ose analiza teologjike e mosmarrëveshjeve, që çuan në ndarje në rrjedhë të historisë. Gjatë këtyre dialogëve u sqarua gjithnjë më shumë se çka na bashkon, është më e madhe se çka na ndan. Së fundi, duhet kujtuar, si aspekt themelor, ekumenizmi shpirtëror, domethënë, bashkimi i thellë e i njëzëshëm i të gjithë besimtarëve në lutjen meshtarake të Jezusit: “Që të gjithë të jenë një gjë e vetme”. Kjo lutje e mban zgjuar në ne vetëdijen se uniteti i Kishës përkon me vullnetin e Zotit!”.

07 qershor 2020, 06:31