2020.03.25 Recita del Padre Nostro con il Santo Padre 2020.03.25 Recita del Padre Nostro con il Santo Padre 

Papa, ‘të krishterët e botës së bashku, Ati Ynë, mëshirë për njerëzimin e sprovuar’

Sot në mesditë të Krishterët e botës u bashkuan me Papën Françesku për të thënë së bashku lutjen më të bukur e më njohur, Atë Ynë-n. Lutja e Papës drejtuar Zotit për të sëmurët, familjet e tyre, punonjësit e shëndetësisë dhe forcat e rendit.

R.SH. - Vatikan

Ndërmjet frikës e ankthit të botës të kërcënuar nga pandemia Covid-19, nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit jehon lutja që Jezusi na mësoi, Ati Ynë, një gurrë e përjetshme shprese dhe burim uniteti për të krishterët. Zëri i Papës Françesku, i cili i lutet Zotit që t'i japë fund epidemisë, e përmbylli lutjen e një populli të sprovuar, të prekur thellë nga virusi, por të bashkuar në lutje e me vështrimin të kthyer drejt Atit Qiellor. Papa, i cili sot, në fund të audiencës së përgjithshme pati rinovuar thirrjen e tij drejtuar të gjithë të krishterëve për t'iu lutur Zotit të plotfuqishëm, siç i ftoi, edhe të dielën e kaluar gjatë Engjëllit Tënzot, të gjithë Krerët e Kishave dhe udhëheqësit e të gjitha Komuniteteve të krishtera për t'u bashkuar në lutjen e Ati Ynë-s . Një lutje prekëse në të cilën lartohej drejt Hyjit Atë zëri komunitar "NE", e jo zëri individual i "unit”.

Mëshirë për njerëzimin e sprovuar

Papa Françesku paraqiti shkurt lutjen e Atë Ynë-s, transmetuar nga Vatican Media dhe drejtpërdrejt në faqen e internet të Vatican News, me këto fjalë:

Të dashur vëllezër dhe motra.,

sot e lamë këtë takim, të gjithë të krishterët e botës, për ta lutur së bashku uratën e Atë Ynë-s, lutjen që na mësoi Jezusi.

Si bijë plot besim i drejtohemi Atit. E bëjmë këtë çdo ditë, shpesh herë në ditë, por tani duam t’i lutemi për të kërkuar mëshirë për njerëzimin e sprovuar rëndë nga pandemia e koronavirusit. E bëjmë së bashku, të krishterë të çdo Kishe e Komuniteti, të çdo moshe, gjuhe e kombi.

T’ia besojmë veten me besim të plotë duarve të Zotit

Në lutjen e Atë Ynë-s, Papa Françesku kujtoi veçanërisht ata që në këtë kohë vuajnë nga frika, nga vdekja për shkak të pandemisë:

Të lutemi për të sëmurët dhe familjet e tyre; për punonjësit e shëndetësisë dhe ata që i ndihmojnë; për autoritetet, forcat e rendit e vullnetarët; për ministrat e komuniteteve tona.

Sot shumë prej nesh kremtojnë festën e Mishërimit të Fjalës së Zotit në kraharorin e Virgjërës Mari, kur në përgjigjen e saj “Ja ku jam”, të përvujtë e të plotë, u pasqyrua pohimi "Ja ku jam" i "Birit të Zotit. Edhe ne ia besojmë jetën tonë duarve të Zotit dhe me një zemër e një shpirt të vetëm i lutemi:

Pas fjalëve hyrëse zërit lutës i Papës, shoqëruar shpirtërisht nga të Krishterët e anembanë botës, bëhet një "urë shpirtërore" që përqafon, ngushëllon dhe sjell shpresë.

Papa Françesku lut Atë Ynë-n në latinisht

"Aty ynë që je në qiell
U shenjtëroftë emri yt
Ardhtë mbretëria jote
U bëftë vullnesa jote
Si në qiell ashtu në tokë
Bukën tonë të përditshme
Na e jep sot
Na i fal fajet tona
Si i falim ne fajtorët tanë
E mos na lër të biem në tundim
Por na liro nga i keqi
Amen! 

25 mars 2020, 11:19