Kardinali Parolin duke kremtuar Meshën Kardinali Parolin duke kremtuar Meshën 

Vatikan: kardinali Parolin gjykatësve: “Ta frenojmë irracionalitetin ndëshkues. Kurrë hakmarrje!”

“Ta frenojnë irracionalitetin ndëshkues”. Kjo, porosia, që u dha Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, magjistratëve të Gjykatës së Vatikanit, në homelinë e Meshës para hapjes së vitit gjyqësor

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, me ndjeshmërinë njerëzore e baritore, karakteristike për të, e njëkohësisht edhe shprehje e një vizioni  të madh, në të cilin ndjehet fort  ekzistencializmi i vërtetë kristian, më 15 nëntor 2019, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit XX botëror të drejtësisë penale, i pati ftuar “ta frenojnë irracionalitetin ndëshkrues”. E kujtoi këtë, kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjatë Meshës për përurimin e vitit gjyqësor në Vatikan, kremtuar në Kapelën Paoline të Pallatit Apostolik, të shtunën në mëngjes, më 15 shkurt, para audiencës papnore.

Ndokush - vërejti Hirësia e Tij gjatë homelisë - ndoshta në mënyrë tepër alarmuese, vëren  rrezikun e penalizimit të tepruar të së drejtës. Kjo prirje mund të shmanget vetëm në se mbrohemi nga tundimi, gjithnjë i pranishëm, i pozitivizmit juridik që, duke u rritur, bëhet formalizëm, nominalizëm e nihilizëm, derisa e redukton ligjin në formulat e  fjalët e pakuptima, që e shprehin. Ilaçi më i frytshëm kundër pozitivizmit gjindet në të drejtën natyrale, që është drejtësia e rastit të vetëm, e rastit konkret, pas shqyrtimit të kujdesshëm e të ndershëm.

Duke cituar përsëri Françeskun, sekretari i Shtetit të Vatikanit  kujtoi disa  rregulla themelore, që burojnë nga parimi i ligjshmërisë, si “pandehja e pafajsisë dhe lidhjeve të saj logjike me parimet e përgjegjësisë personale e të funksionit rehabilitues e jo ndëshkues të dënimit dhe nevoja e sigurisë morale të gjykatësit lidhur me dënimin, sipas parimit romak: in dubio pro reo (në dyshim, në favor të të dënuarit).

Me forcë, më 23 tetor 2014, Papa pati pohuar se “maturia në zbatimin  e dënimit duhet të jetë parimi, mbi të cilin ngrihen sistemet penale”. E, prej këndej, duhet pasur mirë parasysh ndalimi i analogjisë në drejtësinë penale dhe shkallëzimi i dënimit, duke vënë në plan të parë qëllimet  riedukative, e jo vetëm ndëshkimin.

Në përfundim të Meshës në Sallën Regia u zhvillua ceremonia e përurimit, në praninë e Papës e të shumë personaliteteve vatikanase e italiane.

17 shkurt 2020, 14:59