At Pietro Bovati predikon Ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve 2020 për Papën e Kurien Romake
R.SH. - Vatikan
Të mërkurën, më 26 shkurt, me kremtimin e ritit të Përhimjes, filluan Krezhmët. Nga data 1 deri më 6 mars, Papa Françesku, së bashku me Kurien Romake, do të shkojë në Shtëpinë e ‘Mësuesit Hyjnor’, në Ariccia, pranë Romës, për ushtrimet shpirtërore tradicionale, mbi temën: "Kaçuba ishte ndezur flakë, por nuk digjej (Dalja 3,2), takimi ndërmjet Zotit e njeriut, në dritën e Librit të Daljes, Ungjilli i Mateut dhe lutja në Psalme".
Për përkimin e Ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve 2020, Papa Françesku ka zgjedhur jezuitin at Pietro Bovati, gati 80 vjeç. Kujtojmë se jezuiti at Pietro Bovati hyri në Shoqërinë e Jezusit në vitin 1959, së pari si student dhe pastaj, duke filluar nga viti akademik 1982-1983, si profesor në Institutin Papnor Biblik, ku ka mbajtur kurse e seminare të shumta në sferën e Ekzegjezës biblike dhe të Teologjisë së Besëlidhjes së Vjetër. Nga viti 1997 deri më 2008 ka qenë zëvendës-rektor i të njëjtit institut.
Pra, Papa e Kuria Romake, çdo vit në kohë të Krezhmëve mbajnë ushtrimet e shpirtit. Po jo vetëm Papa e bashkëpunëtorët e tij por edhe ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë traditë të mbajnë ushtrimet shpirtërore disa herë në vit, varësisht nga kalendari kishtar e nga ngjarjet e nevojat shpirtërore personale. Këtë sepse Ushtrimet Shpirtërore janë “përjetim” i dashurisë së Hyjit. Kush “i përjeton ushtrimet Shpirtërore” kthehet “i përtërirë dhe i shndërruar në jetën e zakonshme, në shërbesë dhe në marrëdhëniet e përditshme, duke mbartur me vete parfumin e Krishtit.
Pra, jemi afër javës së ushtrimeve shpirtërore të kohës së Kreshmëve për Papën dhe Kurien Romake në Ariccia, afër Romës, e pyesim çfarë janë ushtrimet shpirtërore dhe përse shërbejnë ato?
Ushtrimet janë një periudhë e shkurtër meditimi dhe largimi nga bota për të verifikuar sa dhe si e kemi ndjekur e dëshmuar Krishtin në jetën e përditshme. E periudha e Krezhmëve është kohë e volitshme shpirtërore për të kuptuar bukurinë dhe madhështinë e besëlidhjes ndërmjet Zotit e njeriut, për të kuptuar bukurinë e Dashurisë Përdëllyese të Hyjit ndaj çdo njeriu. Po Krezhmët janë edhe një kohë shpirtërore për të lënë pas rrugën e gabuar dhe për ta kthyer zemrën, duke dëgjuar zërin e Krishtit, që shpall ardhjen e Mbretërisë së Hyjit. Kështu, Ushtrimet shpirtërore janë rast i volitshëm për një ripërtëritje shpirtërore dhe për kthimin tonë tek Zoti Atë.
Por pse ka kaq shumë rëndësi që i krishteri t’i ndërpresë veprimtaritë e përditshme e t’ia kushtojë një pjesë të kohës Zotit, përmes ushtrimeve shpirtërore, ose në mënyra të tjera të mundshme?
Përgjigja është se ushtrimet shpirtëror janë vendimtare për jetën e çdonjërit. Nuk duhet të harrojmë se vetë Jezusi, gjatë jetës së tij – e këtë na e dëshmojnë Ungjijtë – tërhiqet mënjanë, në vetmi, për t’u lutur, për të medituar, për të dialoguar me Biblën, Shkrimet Shenjte e me Atin Qiellor. Në historinë e krishterë kjo kërkesë është e gjithpranishme, sepse ka çaste kur njeriu ndjen nevojën për të medituar e reflektuar mbi momente të rëndësishme të jetës, ka çaste ku ndjehet i lodhur, e ngadalëson hapin, i zvogëlohen forcat. Atëherë e ndjen nevojën për ta marrë përsëri shpirtërisht veten, për ta ushtruar shpirtin, për t’iu kushtuar Fjalës së Zotit, rishikimit të jetës, lutjes, në mënyrë që jeta jonë të gjallërohet rishtas.