Vatican News
Imzot Paul Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet Imzot Paul Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet 

Imzot Gallagher në Strasburg: “Evropa të mos i injorojë rrënjët e krishtera”

Fjala e imzot Paul Gallagher në “ditët ndërdisiplinore” të Strasburgut, me rastin e 50-vjetorit të pranisë së Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës.

R.SH. - Vatikan

Viti 2020 shënon 70-vjetorin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, “gur i vërtetë themeli për mbrojtjen e njerëzve nga të gjitha shkeljet”, por edhe mjet, që ka kontribuar në “farkëtimin e një identiteti evropian, bazuar në vlerat e përbashkëta, që i kapërcejnë ndryshimet kulturore”. Kjo ishte pikënisja e fjalës, që mbajti kryeipeshkvi Paul Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në “ditët ndërdisiplinore”, organizuar në Strasburg nga Misioni i Selisë së Shenjtë, të cilat filluan dje e do të përfundojnë nesër. Tema e takimit bën të qartë edhe rastin: “Ta ndërtojmë së bashku Evropën. 50 vitet e Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës”.

Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet i takoi të mbajë fjalën hyrëse, në të cilën theksoi se për të pasur një këndvështrim mbi Evropën e për të përcaktuar zhvillimin e saj të ardhshëm duhet “filluar duke thënë se nuk ka ende një perceptim të vetëm për Evropën, madje, as për projektin evropian, që duhet realizuar. Çdo komb ka vizionin e vet. E, brenda vendeve, Evropa përfaqësohet në mënyra të ndryshme”, duke dëshiruar që pikërisht ato konceptime e jo të tjera të ishin tashmë pjesë e historisë.

Në fjalën e tij, imzot Gallagher paraqiti “një ide të Evropës, që nuk i lë mënjanë themelet dhe rrënjët e saj të krishtera”, si edhe përvijoi “disa propozime për projektin e ndërtimit të Evropës, të vlefshme jo vetëm për katolikët, ose për të krishterët në përgjithësi, por edhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë, që mund t’i përdorin si elemente reflektimi”. Kjo, si kontribut për shkëmbim e dialog, “objektivi i këtyre tri ditëve” të takimit në Strasburg.

08 janar 2020, 12:27