Gesù Cristo benedicente Gesù Cristo benedicente 

Gёzuar e Bekuar Vitin e Ri

Gëzuar Vitin e Ri 2020, të dashur miq të Radio Vatikanit e shqiptarë kudo që ndodheni, le të ecim së bashku me Jezusin e kështu ky Vit do të jetë i lumtur e i mirë.

R.SH. - Vatikan

Gëzuar Vitin e Ri me bekime e të mira nga programi i gjuhës shqipe i Radio Vatikanit!

Fillojmë një Vit të Ri dhe për dore na merr shpresa e krishterë; e fillojmë duke iu lutur Zotit të na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes: për familjet tona, për  fshatrat e qytetet tona, për vendlindjen dhe për botën mbarë .

Të ecim së bashku me Jezusin e kështu ky Vit i Ri do të jetë i lumtur e i mirë. T’i lutemi Zotit të na ndihmojë për të bërë, në këtë periudhë kohe, atë që na dhuron, atë që dëshiron Ai vetë!

Koha e jetës sonë është e çmuar për t'i dhënë kuptim asaj dhe të tjerëve, për të medituar se kush jemi e ç'duhet të bëjmë, për të njohur e për të kërkuar, për të dashur e për të kuptuar se çdo ditë e Vitit të Ri, që sapo filloi, është një dhuratë e Zotit, është një mrekulli!

Ta gëzojmë pra, ditë për ditë, këtë mrekulli që fillon! E, së bashku t’i lutemi Hyjit të na japë bekimin hyjnor e t’i kërkojmë, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes: për familjet tona, për qytetet e fshatrat tona, për Atdheun tonë e për botën mbarë.

Të ecim pikërisht në rrugën e dashurisë së zemrës, që është dija e atyre, të cilët nuk u lodhën kurrë s’e kërkuari fytyrën e Zotit. E mund të jemi të sigurt: në se nuk lodhemi s’e kërkuari fytyrën e Tij Hyjnore, në se nuk i nënshtrohemi tundimit të humbjes së besimit e të dyshimit, në se përmes vështirësive të panumërta, mbetemi gjithnjë të lidhur ngushtë me Të, do të provojmë patjetër pushtetin e dashurisë së Tij e të përdëllimit të Tij, Foshnja e Betlehemit që Virgjëra Mari ia dëfton sot botës, na bën veprimtarë të dashurisë e të paqes, dëshmitarë të Tij, Princit të Paqes. 

E Urimi jonë për Vitin e Ri shndërrohet në lutje drejtuar Zotit, që t’i bëjë të frytshme përpjekjet e të gjithëve. T’ia besojmë, pra, Zotit dëshirat dhe planet tona njerëzore. Atij t’ia lartojmë lavdet e lutjen plot besim:

Ty, o Atë i jetës,
Zanafillën pa fillesë,
E mira e pambaruar e drita e amshuar,
Me Birin e me Shpirtin Shenjt,
Nderim e lumturi, lavdi e mirënjohje,
Në shekujt pa mbarim. Amen!

Në Ty, o Atë i jetës shpresuam
e në Ty do ta mbështesim përsëri shpresën tonë.
Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës,
duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde,
të cilën s’ka forcë që mund ta shuajë.

Urojmë që çdo njeri vullnetmirë të provojë e shijojë dashurinë dhe paqen tënde Hyjnore, o Atë i ynë Qiellor. Amen!”
Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!

Për shumë vjet të gjithëve!

01 janar 2020, 09:55