Vatican News
Christmas market in Prague Christmas market in Prague  (ANSA)

Koha e Ardhjes na fton të ndërtojmë një botë më të mirë

Në Kohën e Ardhjes, që ka hyrë tashmë në javën e saj të dytë, Kisha katolike i fton besimtarët t’i jetojnë gjërat e përditshme me frymë të re, me ndjenja të thella e me aspirata, që mund t’i përmbushë vetëm Zoti.

R.SH. - Vatikan

Në Kohën e Ardhjes, që ka hyrë tashmë në javën e saj të dytë, Kisha katolike i fton besimtarët t’i jetojnë gjërat e përditshme me frymë të re, me ndjenja të thella e me aspirata, që mund t’i përmbushë vetëm Zoti. Hyji që vjen është shumë i pranishëm edhe në përgjigjet e njerëzve. Kisha kërkon që të gjithë të punojnë për një botë më të mirë, në pritje të botës vërtet më të mirë. Por, nuk duhet tё harrojmё, problemi ynë është se për shkak të shumë drurëve, nuk mbërrijmë të shohim pyllin, metaforë kjo për të vënë në dukje se për shkak të njohjes së thellë të botës, e cila nuk është një e keqe në vetvete, njerëzimi nuk arrin të gjejë më dijen, në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk arrin të gjejë më thelbin e gjërave, atë që mbetet. Kisha vëren se predikimi i sotëm mbi jetën e amshuar errësohet nga kujdesi i njëanshëm për ngjarjet e përditshme.

Duhet ta kapërcejmë këtë horizont, ta zgjerojmë për të parë gjërat e fundme, të cilat janë si buka e fortë për njeriun e sotëm. I duken jo të vërteta. Njeriu bashkёkohor kërkon përgjigje konkrete për sot, por nuk sheh përtej jetës materiale, aty ku ekziston gjykimi hyjnor dhe amshimi. Në fakt, Jezusi thotë me siguri: “unë do të kthehem” e atëherë secili do të dalë para Gjyqit të Mbramë. Kjo duhet marrë seriozisht e ka nevojë për përgatitje. Rruga, thotë Kisha, është ta modelojmë vetveten, mendjen tonë sipas mëshirës e dashurisë së Zotit. Ky është ilaçi kundër mizorisë së botës e, kjo është mënyra për t’u përgatitur, që vetë Hyji të vijë me mëshirën e vet.

Në këtë situatë, misioni i Kishës është ta shpëtojë njeriun nga kjo dashuri e tepruar, madje shpesh sëmurë për vetveten, e cila po e çon botën drejt shkatërrimit. Kisha nuk u propozon njerëzve ndonjë sistem moral. Si tё krishterë nuk jemi moralistë por duke u nisur nga bazat e fesë, jemi bartës të një mesazhi ungjillor, tё njё mesazhi etik, që u jep njerëzve orientimin. E rëndësishme është që Kisha t’u dhurojë njerëzve Krishtin, sidomos përmes mrekullisë së dashurisë të sa e sa njerëzve të Zotit, që pa asnjë përfitim, të shtyrë vetëm nga Krishti, ndihmojnë të tjerët. Ky karakter terapeutik i krishterimit, që shëron e jep falas, duhet të dalë në pah më qartë në jetën e të krishterëve.

Duke e hedhur vështrimin mbi përparimin e sotëm njerëzor, Kisha bën pyetjen: “ç’është e mira?”. Vërtet, “e mira vjen para pasurisë”. Në shoqërinë aktuale të konsumizmit ka një uri për amshimin, që, duke gënjyer veten, mendojmë se mund të shuhet me gjëra materiale. Shpesh jetohet vetëm për t’u dukur, e i trajtojmë mëkatet, edhe ato të mëdhatë, sikur janë pjesë përbërëse e shpirtit tonë. Në të vërtetë, është e nevojshme një ndërgjegje morale më e thellë, njё gatishmëri konkrete për të hequr dorë nga gjërat materiale, për të qenë më të disiplinuar, për të jetuar mbi bazën e dashurisë për të afërmin, deri në mohimin e vetvetes. Perspektiva e krishterë e kapërcen kënaqësinë e momentit, për të shkuar më tej. Të bëhesh njeri është si të ngjitësh një mal të thepisur; por pikërisht përmes këtij mundimi arrijmë majën e mund të provojmë sa e bukur është jeta.

Si mund ta ndryshojmë jetën, që ajo të ketë më tepër parasysh se ekzistojnë edhe të tjerë në këtë botë? Na ndihmon shën Bernardini kur thotё: “Mos e humb veten në aktivizmin e tepruar”. “Dija e skribit – thotë Libri i Siracidit – vjen nga orët e paqes: duhet të kemi guxim të heshtim për ta dëgjuar Zotin”. E para asaj, që Kisha e quan “arroganca e intelektit”, e cila nuk e kupton se si Zoti mund të jetë bërë njeri në kraharorin e një Virgjëre, i Gjithëpushtetshmi Hyj nuk imponohet, e le njeriun të lirë të thotë “po”, sepse feja është diçka, që realizohet në liri. Kisha dëshiron të shpallë këtë gjë: takimi me Krishtin krijon vërtet para nesh mundësi të reja, duke na e zgjeruar zemrën dhe shpirtin: feja i jep vërtet jetës sonë një përmasë të re, i jep gëzim, hap horizontet, duke na bërë të hyjmë në një realitet më të madh, përtej jetës së përditshme.

09 dhjetor 2019, 18:36