Atë Cantalamessa gjatë predikimit II të Kohës së Ardhjes Atë Cantalamessa gjatë predikimit II të Kohës së Ardhjes 

Atë Cantalamessa: zëri i Marisë tërheq pas vetes zërin e Kishës

Në predikimin e dytë të Kohës së Ardhjes, predikatari i Shtëpisë Papnore flet për “Magnificat”, këngë lavdërimi e falënderimi e Marisë, drejtuar Zotit.

R. SH. - Vatikan

Maria, në çastin e vizitës, që i bën Elizabetës, ishte në qendër të predikimit të dytë të Kohës së Ardhjes, mbajtur nga atë Raniero Cantalamessa, në Kapelën e Nënës së Shëlbueit të Pallatit Apostolik.

Duke i ftuar të gjithë t’i sjellin sytë nga Maria, predikatari i Shtëpisë Papnore  kujtoi edhe se “sot, mbarë Kisha, shtrëngohet rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit”, që kremton 50-vjetorin e meshtarisë. Magnificat - kënga e lavdit, që këndon Virgjëra Mari në çastin kur zemra e saj gufon nga gëzimi dhe nga dëshira për ta madhëruar Zotin - është lutja që del vetvetiu nga shpirti në një rast, krejtësisht të jashtëzakonshëm, si ky”- kujtoi.

Shikimi i ri i Zotit mbi botën

Himni i Marisë është një shikim ri mbi Zotin e mbi botën: Zoti është mbi gjithçka e Maria “pranon të fundoset deri në fund të pafundësisë, që është Zoti”. Maria, në himnin e saj - vijoi të shpjegojë atë Cantalamessa – na përshkruan një përmbysje, një ndryshim rrënjësor të roleve, që luajnë njerëzit në këtë botë. Zoti i përmbys të pushtetshmit nga fronet e i larton të përvuajturit; i mbush me të mira të uriturit, e i nis me duar thatë të pasurit:

“Magnificat nuk është ftesë për t’i përmbysur, edhe me dhunë, të pushtetshmit nga fronet. Është qortim, i cili u drejtohet posaçërisht të pasurve dhe njerëzve të pushtetshëm, duke u kujtuar rrezikun e tmerrshëm që u varet mbi kokë, ashtu si në shëmbëlltyrën e pasanikut të stërngopur e të Lazrit të stëruritur”.

Figura, të ndryshme nga realiteti

Atë Cantalamessa kujtoi edhe se disa plane e aspekte të realitetit nuk mund të shihen me sy njerëzor. Mund të kapen vetëm me ndihmën e një drite të posaçme:

“Kisha ka, falë fjalës së Zotit, një figurë të ndryshme nga realiteti i botës, e vetmja përfundimtare, sepse e përftuar nga drita e Zotit. Ajo nuk mund ta fshehë këtë figurë. Duhet ta përhapë, pa u lodhur kurrë, duke e bërë të njohur mes njerëzve, sepse lidhet me fatin e tyre të amshuar. Është figura që do të mbetet në fund të fundit, kur të kalojë skema e kësaj bote” .

Shkolla e himnit “Zemra ime madhëron Zotin!”

Maria i pa e para me sy tejet të kthjelltë, varfërinë dhe pasurinë e kësaj bote. Përmbysja që pa ajo - shpjegoi atë Cantalamessa - duhet të ndodhë kryesisht në shpirtin e njeriut që e përsërit “Magnificat” e lutet me të. Zoti - na kujton Maria - i përmbys krenarët në honin e mendimeve e të zemrave të tyre, ndërsa i larton të varfërit:

“Zoti i mban larg krenarët e i larton  deri  te vetvetja  të përvuajturit e të vegjlit: rri shumë më me kënaqësi me nevojtarët e me të uriturit, që s’pushojnë s’i drejtuari lutje e kërkesa, sesa me të pasurit e ngopur, që nuk kanë nevojë për Të e nuk denjohen t’i kërkojnë asgjë. Maria na nxit, me ëmbëlsi amtare, t’i përngjajmë Zotit, të zgjedhim po atë rrugë, që zgjodhi Ajo. E edhe t’i bëjmë vetes pyetjen: ‘Unë, ku shikoj? Poshtë, ku është mjerimi, nevoja e varfëria? Apo lart, atje ku mund të gjej dikë, që mund të më ndihmojë e të më japë rëndësi?’”.

Magnificat është shkollë e mrekullueshme e urtisë ungjillore. Shkollë e kthesës së vazhdueshme.

Maria - përfundoi atë Cantalamessa - vijon ta madhërojë Zotin nga breznia në brezni: zëri i saj e mbështet dhe e tërheq pas vetes mbarë Kishën!

13 dhjetor 2019, 14:59