Imzot Pasini Imzot Pasini 

Papa në Japoni. Pasini, nga Biblioteka e Vatikanit, flet për interesimin ndaj kulturës së krishterë

Pas kthimit nga Japonia, imzot Cesare Pasini, prefekt i Bibliotekës së Vatikanit, flet për pritjen e vizitës papnore, duke kujtuar edhe interesimin për historinë e persekutimeve të pësuara nga të krishterët vendas, ndërmjet fundit të viteve ‘500 e gjysmës së atyre ‘800.

R. SH. - Vatikan

Japonia e pret me mirënjohje të thellë Papën, që do ta vizitojë vendin  në fund të këtij muaji. E, në përkim me këtë vizitë, ndjehet edhe një interes i madh për historinë e të krishterëve niponikë, të persektuar ndërmjet shekujve XV e XIX. Për këtë flet imzot Cesare Pasini, prefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, i sapokthyer nga një udhëtim në ishullin Kyushu, ku mbajti dy konferenca, në kuadrin e bashkëpunimit  me institucionet japoneze për ruajtjen dhe studimin e Fondit ‘Carte Marega”.

Bashkëpunimi për “Carte Marega”

Fondi përbëhet nga dokumente civile e qeveritare, mbledhur në Japoni në vitet ’30 e ’40 të shekullit të kaluar, nga misionari salezian don Mario Marega. Kanë të bëjnë me persekutimin e të krishterëve japonezë, nisur aty nga fundi i viteve ‘500.

Në vitin 2014, Biblioteka e Vatikanit pati dhënë njoftimin për fillimin e bashkëpunimit me institucionet japoneze, të lidhura me Institutin Kombëtar për Shkencat Humane (Nihu), për inventarizimin, ruajtjen,  dixhitalizimin, studimin e katalogizimin e rreth dhjetë mijë dokumenteve  të fondit. Tani, kur ndjehet fort atmosfera e vizitës së Papës, që do të jetë në Japoni ndërmjet 23 e 26 nëntorit, imzot Pasini ishte në Oita e Nagasaki, ku dha njoftimin për fillimin e fazës së parë të projektit.

“Pritja që më bënë - tregon prefekti, në mikrofonet e Radio Vatikanit Italia - ishte gjithnjë e jashtëzakonshme, sepse institucionet japoneze e shikojnë mikpritjen si shenjë e vëmendjes dhe e përzemërsisë ndaj mysafirëve. Në këtë rast ishte edhe aspekt i lidhur me ngjarjen e shumëpritur, vizitën e Papës Françesku”.

Imzot Pasini pati disa takime zyrtare në qytetin Usuki, që lidhet gjeografikisht me “Kartat Marega” dhe mbajti dy konferenca në Oita e Nagasaki:

“Munda të jap njoftimin se tashmë bashkëpunimi ynë lidhur me këtë fond është në rrugë të mbarë. Biblioteka jonë i restauroi, i rregulloi dhe  i dixhitalizoi të gjithë dokumentet. Mbetet pjesa e fundit e punës, ajo e studimit dhe e organizimit të dokumenteve, tashmë të pranishme në internet, që pastaj do të bëhet publike”.

Interesi, jo vetëm kulturor, i institucioneve japoneze

Këto dokumente - shpjegon akoma imzot Pasini - përmbajnë të dhëna të reja  për historinë e persekutimeve të pësuara nga të krishterët në Japoni për rreth  dy shekuj e gjysëm. “Bëhet fjalë posaçërisht për dokumente, që kanë të bëjnë me regjistrimin e njerëzve e që mund të krahasohen me regjistrat e famullive tona. Janë regjistra të pagodave budiste, që tregojnë si skedoheshin e kontrolloheshin qytetarët, për të vërtetuar se e kishin braktisur krishterimin! Dëshmojnë, pra se në Japoninë e atyre kohëve,  të krishterët kishin liri të kufizuar dhe pësonin vazhdimisht dhunë. Por njëkohësisht përshkruajnë edhe jetën e familjeve japoneze të atyre shekujve, rolin e kryefamiljarit, të punës dhe mënyrën e jetesës. Për ta, prandaj, janë shumë interesante.

Varreza e krishterë, e mirëmbajtur

Munda - shton Prefekti - të vërej se tregohet vëmendje e madhe për realitetin e krishterë të këtyre shekujve. Ndoshta interes i tipit kulturor, por edhe i natyrës fetare. Munda të vizitoj varrezat e krishtera. Asnjë shenjë vandalizmi. Ruheshin mirë, ndonëse nën kryqet pushojnë njerëz të martirizuar në shekujt e errët të kësaj toke, ku dëshmuan me gjak Krishtin. Ruheshin me respekt.

Pritja e Papës

Atmosfera e pritjes së Papës ndjehej fort. Takimi i Oita u organizua pikërisht për nder të Françeskut - përfundon imzot Pasini. - Por përveç   intresimit të madh për të marrë pjesë në Meshën e Papës në Nagasaki,  e edhe në takimet e tjera, pashë edhe interesimin e madh për kristianizmin e për gjithçka përfaqëson ai në Japoni.

01 nëntor 2019, 16:22