Logo “Një mbrëmje yjesh për Bambino Gesù” Logo “Një mbrëmje yjesh për Bambino Gesù” 

Në Vatikan “një mbrëmje yjesh për Bambino Gesù”

Në Sallën Pali VI, më 20 nëntor, do të mbahet një mbrëmje e madhe bamirësie. Në skenë do të alternohen dëshmi e çaste muzikore për të festuar 150-vjetorin e Spitalit të Papës.

R.SH. - Vatikan

Historitë e fëmijëve dhe të të rinjve, ndjekur e shëruar nga Spitali “Bambino Gesù” (Krishti Fëmijë) i Romës, do të jenë në qendër të një mbrëmjeje të veçantë, në program për të mërkurën, 20 nëntor, në orën 20.30, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Në ngjarjen me titull “Një mbrëmje yjesh për Bambino Gesù”, do të marrin pjesë njerëz nga bota e spektaklit dhe e sportit. Prezantuesi do të jetë Amadeus, i cili do ta shoqërojë publikun në një udhëtim të jashtëzakonshëm dhe prekës në korsitë e strukturës shëndetësore, ku, çdo ditë, luftohen beteja të guximshme kundër sëmundjeve dhe përjetohen histori dashurie, shprese dhe vendosmërie. Të shumtë, artistët që do t’i japin jetë mbrëmjes. Ndërmjet tyre, publiku shqiptar njeh mirë këngëtarët Francesco Renga, Mahmood, Fabio Rovazzi dhe Renzo Arbore. Do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të botës sportive, nga trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, tek futbollistët Alessandro Florenzi dhe Ciro Immobile. Ndërmjet të ftuarve, Pippo Baudo, Clementino dhe Tiziana Rivale.

Spektakël e solidaritet

         Mbrëmja do të jetë rast për të festuar 150-vjetorin e Spitalit të Fëmijëve “Bambino Gesù”, lindur më 1869, falë nismës bujare të familjes Salviati. Edhe shqiptarët mund ta ndjekin këtë shfaqje të jashtëzakonshme solidariteti e bamirësie, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rai Uno, kanali i parë i Radiotelevizionit Italian. Të ardhurat e fituara nga shitja e biletave (shih VIVATICKET) do t’i dhurohen Institutit të tumoreve dhe transplanteve të spitalit pediatrik, i vetmi që është pronë e Vatikanit. Publiku në Sallën Pali VI do të ketë kështu, mundësinë për të kontribuar në financimin dhe në mbështetjen e kësaj strukture, e cila synon të promovojë punën kërkimore-shkencore kunmdër kancerit, veprimtarinë e transplantimeve dhe mikpritjen e familjeve. Do të jetë aktiv edhe një numër solidariteti, 45535, për të dhuruar dy euro me celular (me mesazh nga Wind Tre, TIM, Vodafone, PosteMobile, Iliad, Coop Voce, Tiscali) dhe 5, ose 10 euro, nga një linjë fikse (nga linja fikse e TWT, Convergenze, PosteMobile, TIM, Vodafone, Wind Tre, Fastëeb dhe Tiscali).

Pamje nga Spitali "Bambino Gesù"
Pamje nga Spitali "Bambino Gesù"

150 vite në shërbim të fëmijëve dhe të familjeve

         Spitali “Bambino Gesù” është e para strukturë shëndetësore pediatrike italiane, themeluar më 1869, falë familjes Salviati, e cila, më 1924, ia dhuroi Papës Piu XI. Që nga ai çast, të gjithë Papët e mëpasëm u kujdesën vazhdimisht për veprimtarinë e spitalit në mbrojtje të shëndetit të fëmijëve, prandaj, për të gjithë, “Bambino Gesù” konsiderohet “Spitali i Papës”. Sot, kjo strukturë, ku janë shëruar edhe shumë shqiptarë të vegjël, sidomos pas marrëveshjes së nënshkruar nga ambasadori i atëhershëm pranë Selisë së Shenjtë, i ndjeri Rrok Logu, ka 607 shtretër. Shpesh, edhe ne të redaksisë shqipe të Radio Vatikanit, kemi shkuar për përkthime, që nevojiteshin për të komunikuar me pacientët e vegjël dhe me familjet e tyre. Terapitë e ofruara në spital kanë një nivel aq të lartë sa ai të konsiderohet pikë referimi ndërkombëtare për shëndetin e fëmijëve dhe të të rinjve.

Qendër cilësore

         Vërtet, Spitali pediatrik “Bambino Gesù” është qendër e njohur në shkallë vendi dhe ndërkombëtare për trajtimin e patologjive të ndërlikuara. Pacientët e shtruar në spital vijnë nga Italia dhe nga bota, edhe falë programeve të solidaritetit, që u japin mundësi fëmijëve nga zonat më të varfëra të vijnë për terapi të përparuara shkencore. Në vitin 2018, në këtë spital janë shtuar 28.730 vetë dhe janë bërë 327 transplantime. 30% e pacientëve të vegjël vinin nga zona italiane jashtë Lazio-s, ndërsa 15% nga vende të tjera. Spitali i Selisë së Shenjtë është pikë referimi edhe për trajtimin e fëmijëve me patologji të ndërlikuara dhe të rralla. Projekti i Institutit të Tumoreve dhe të Transplantimit, për të cilin është organizuar mbrëmja e solidaritetit më 20 nëntor, do të përforcojë studimin dhe trajtimin e sëmundjeve onko-hematologjike tek fëmijët dhe transplantimet e qelizave burimore hematopoietike e të organeve.

Photogallery

Spitali pediatrik "Bambino Gesù"
06 nëntor 2019, 16:58