San Virgilio San Virgilio  (Joachim Schäfer - Ökumenisches Heiligenlexikon)

Më 27 nëntor, kalendari kishtar përkujton Shën Virgjilin

I nderuar më të gjallë, por më pas i harruar, Shenjti u rizbulua në dioqezën e tij të Salcburgut dhe u kanonizua më se pesë shekuj pas vdekjes. Kaluan edhe pesë shekuj të tjerë, para se emri i tij të shkruhej në Martiriologun Romak.

R.SH. - Vatikan

Shën Virgjili i Salisburgut, ipeshkëv i shekullit VIII, është një nga figurat më të njohura ndërmjet murgjëve irlandezë që shtegtuan nëpër botë “për Krishtin”.  I nderuar më të gjallë, por më pas i harruar, Shenjti u rizbulua në dioqezën e tij të Salcburgut dhe u kanonizua më se pesë shekuj pas vdekjes. Kaluan edhe pesë shekuj të tjerë, para se emri i tij të shkruhej në Martiriologun Romak.

Virgjilio apo Vergilius është shqiptimi latin i emrit Fergal, siç shqiptohet në gjuhën keltike të Irlandës, ishullit që nuk iu nënshtrua kurrë Perandorisë romake e që u bë i krishterë përmes predikimit të Shën Patrikut, vdekur më 461.

Me të nisi jetën një Kishë, që këtu nuk u organizua mbi bazën e dioqezave e të famullive, por mbi bazën e manastireve e abatëve të tyre, prijës shpirtëror të murgjërve e të populllit. Edhe Virgjili eci në këtë rrugë. Lindi në Irlandë në fillim të shekullit VIII dhe shumë shpejt hyri në kuvendin e Akad-bo-Cainig, ku më parë qe murg e më pas Abat dhe ipeshkëv i palodhshëm, që u shqua për edukimin fetar të popullit dhe veprimtarinë e pakursyer në ndihmë të të varfërve.

Jetoi sipas rregullave shumë të rrepta të jetës murgare irlandeze, në përkim me jetën e vështir të popullsisë vendase. Është një nga figurat më të njohura ndërmjet murgjërve irlandezë që shtegtuan nëpër botë "për Krishtin".

Njihet si apostull i Karincies dhe pajtor i Salcburgut në Austri. Shën Virgjili është ungjillëzuesi i Karincies, Stirisë e Panonisë dhe themelues i kuvendit të Shën Kandidit në Alto Adigje të Italisë. U varros në katedralen e tij, e u harrua. Katër shekuj më vonë, katedralja u shkatërrua nga një zjarr i papritur e, kur nisën punimet për rindërtimin e ndërtesës, u gjet arkivoli me trupin e tij krejt të paprishur. Dukej sikur flinte.

U fol për mrekulli e njerëzit rranë nga të katër anët për t’u lutur para trupit të njeriut, vdekur katër shekuj më parë, që dukej si i gjallë. Figura e ipeshkvit të Irlandës doli nga heshtja: populli kërkoi të shpallej shenjt menjëherë. Procesi kanonik filloi në vitin 1230 e më pas dëshmitë për shenjtërinë e e jetës së tij u nisën për në Romë. U shpall Shenjt nga Gregori IX më 1233. Emri i tij u shkrua në Martiriologun romak më 1740. Shën Virgjili vijon të nderohet nga populli e të bëhet burim i shumë ngjarjeve të mrekullueshme.

27 nëntor 2019, 15:49