Papa Françesku me ipeshkvijtë kinezë në Vatikan me 04. 10.2018. Papa Françesku me ipeshkvijtë kinezë në Vatikan me 04. 10.2018. 

Selia e Shenjtë-Kinë: dera është e hapur

"Një derë është hapur që zor se mund të mbyllet”. Me këtë imazh kryeipeshkvi Imzot Claudio Maria Celi e përmblodhi vlerën e marrëveshjes së përkohshme nënshkruar në Pekin ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës, një vit pas ngjarjes historike të 22 shtatorit 2018.

R.SH. - Vatikan

"Një derë është hapur që zor se mund të mbyllet”. Me këtë imazh  kryeipeshkvi Imzot Claudio Maria Celi e përmblodhi vlerën e marrëveshjes së përkohshme nënshkruar në Pekin ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës, një vit pas ngjarjes historike të 22 shtatorit 2018. Rasti për një bilanc dhe përshkim të vitit të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes, u ofrua, dje në Romë, me paraqitjen e vëllimit "Marrëveshja midis Selisë së Shenjtë dhe Kinës. Katolikët kinezë ndërmjet së kaluarës e së ardhmes", përgatitur nga Agostino Giovanoli dhe Elisa Giunipero, me parathënien e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, botuar nga Urbaniana University Press. Në konferencën e paraqitjes së këtij vëllimi, moderuar nga presidenti i komunitetit të Shën Egjiditi, Marco Impagliazzo, foli, përveç ipeshkvit imzot Claudio Celi – Romano Prodi, Andrea Riccardi dhe Atë Federico Lombardi.

Veçanërisht e rëndësishme, në sallën ‘Benedikti XVI’ të mbushur përplot, prania e kreut të zyrës politike dhe sekretarit të parë të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Romë. Shenjë e dukshme e këtij ndryshimi të klimës, që karakterizon besimin dhe respektin, që u evokua nga të gjithë relatorët që pasuan njëri-tjetrin në paraqitjen e librit.

Dëshmitar dhe protagonist që nga vitet '80 të shekullit të kaluar, nën papninë e Shën Gjon Palit II, të procesit të afrimit ndërmjet Qytetit të Amshuar (Romës) dhe Perandorisë së Tokave të Mesit (Kinës), kryeipeshkvi imzot Claudio Celli nënvizoi se me të drejtë mund të quhet si "historike" Marrëveshja - edhe pse e përkohshme dhe e kufizuar në çështjen e emërimeve episkopale - sepse, në sajë të saj, për herë të parë pas 70 vitesh, të gjithë ipeshkvijtë kinezë tani janë në bashkim me Pasardhësin e Pjetrit  - Papën dhe me sivëllezërit e tjerë në Episkopat. Kështu, imzot Celi theksoi se, kjo marrëveshje është fryt i "dialogut veprues" mbështetur dhe inkurajuar nga Papa. Një impenjim që është në harmoni të thellë me vëmendjen e posaçme për Kinën dhe katolikët kinezë që treguan Papët gjatë shekullit të Njëzetë e veçanërisht nga dy paraardhësit e fundit të Atit të Shenjtë Françeskut. Ish-nënsekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Claudio Celli nënvizoi, kështu, rëndësinë e dokumentit tjetër ‘Udhëzimet pastorale të Selisë së Shenjtë mbi regjistrimin civil të klerit në Kinë’, botuar më 28 qershor. Një dokument, vërejti Imzot Celi, në të cilin kuptohet se dashuria për vendlindjen dhe kërkesa po aq e ndjerë për të qenë katolikë, nuk janë në kontradiktë.

Nga ana e tij, Romano Prodi theksoi pasojat sociale e gjeopolitike të këtij vendimi për Kinën, që ka përjetuar ndryshime marramendëse gjatë 30 viteve të fundit. Për ish presidentin e Komisionit Evropian, nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës ishte i mundshëm në këtë moment historik, sepse me Papën Françesku, autoritetet kineze kanë perceptuar  Kishën katolike si më universale dhe më pak perëndimore. Kjo rrethanë, e favorizoi konvergjencën ndërmjet Romës dhe Pekinit në shumë fusha që nuk ishin trajtuar deri tani. Mbi rëndësinë shumëpalëshe dhe jo vetëm sino-vatikanase të marrëveshjes, Andrea Riccardi vuri në dukje gjithashtu se kjo marrëveshje përfaqëson, edhe simbolikisht, përfundimin e një çarjeje që ishte hapur në gjysmën e dytë të shekullit XX, që pastaj u zgjat në ditët tona. Për themeluesin e komunitetit të Shën Egjidit, aftësia që  treguan Selia e Shenjtë dhe Kina në zgjidhjen e një konflikti që zgjati 70 vjet, është shenjë e "inteligjencës dhe fleksibilitetit". Talente,  kujtoi Riccardi, që karakterizonin edhe dy figurat e mëdha të diplomacisë së Vatikanit, që kohët e fundit na lanë: kardinajtë Achile Silvestrini dhe Roher Etchegaray.

Kështu,  Andrea Riccardi e përfundoi fjalimin e tij duke vërejtur se tani "katolicizmi kinez duhet të rimendohet", duhet të gjejë një hapësirë të re për të ardhmen. Ndërhyrjet u mbyllen me fjalën  e atë Federico Lombardit, i cili kujtoi se si rruga që çoi në nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Vatikanit e Kinës është shënuar edhe nga shumë histori vuajtjesh. Për ish-drejtorin e sallës së shtypit të Selisë së Shenjtë, nuk duhet të supozojmë se kjo Marrëveshje historike është meritë ekskluzive e takimeve kineze e vatikanase. Marrëveshja, vuri në dukje jezuiti, rrjedh nga besnikëria e katolikëve kinezë dhe ajo e ipeshkvijve të tyre, gjatë dekadave të vështira e të dhimbshme. Po të mos kishin qenë të lidhur shpirtërisht në një mënyrë kaq të jashtëzakonshme me Papën, vuri në dukje Atë Lombardi, qeveritarët nuk do ta kishin kuptuar soliditetin e kësaj lidhjeje e bashkimi dhe nuk do të ishin krijuar kushtet për arritjen e nënshkrimit të Marrëveshjes.

27 shtator 2019, 14:51