Paolo Ruffini , prefetto DPC - Dicastero per la Comunicazione Paolo Ruffini , prefetto DPC - Dicastero per la Comunicazione  

Vatikan: Ruffini, gazetarët të jenë nxitës të paqes

Papa Françesku kërkon një gazetari që i rri larg bujës dhe dhunës verbale. “Për krishterimin, pohon Papa Bergoglio, e vërteta nuk është vetëm një realitet konceptual, i cili ka të bëjë me mënyrën e gjykimit të gjërave, që na bën t’i quajmë ato të vërteta, ose të rreme, por me një stil jetese, që përfshin çdo aspekt të humanitetit tonë".

R.SH. - Vatikan

"Mbështetje" dhe "kënaqësi" për një takim që përqendrohet në "përpjekjet e palodhshme" të shtypit afrikano-katolik në promovimin e "gazetarisë së paqes". Kështu u shpreh Paolo Ruffini, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, në mesazhin për kursin e formimit organizuar nga Bashkimi Afrikan Katolik i Shtypit, në bashkëpunim me Shoqatën ivoriane të Gazetarëve dhe Komunikuesve Katolikë.

Në letrën e tij, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim kujton disa fjalë të Papës Françesku, që përmbahen në mesazhin për Ditën e 52-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që ka si temë fjalët e Krishtit në Ungjillin e Gjonit: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë. Lajmet e rreme (Fake news) dhe gazetaria e paqes”.  

Në mesazhin e kësaj dite, publikuar më 24 janarin e vitit kaluar, Papa Françesku kërkon një gazetari që i rri larg bujës dhe dhunës verbale. “Për krishterimin, pohon Papa Bergoglio, e vërteta nuk është vetëm një realitet konceptual, i cili ka të bëjë me mënyrën e gjykimit të gjërave, që na bën t’i quajmë ato të vërteta, ose të rreme, por me një stil jetese, që përfshin çdo aspekt të humanitetit tonë. E zbulojmë dhe e rizbulojmë të vërtetën, kur e ndjejmë atë brenda nesh, në besnikërinë e Krishtit, që na do”.

Prandaj, sipas Ruffinit sot është urgjente të "promovohet një "gazetari e paqes",  që nuk do të thotë "gazetari tolerante", që " mohon ekzistencën e probleme serioze dhe merr tone të buta",  po një gazetarí që është "kundërshtare e gënjeshtrës, e parullave dhe e deklaratave bombastike", një gazetarí, që i jep zë kujt nuk ka zë. Informimi duhet të jetë “mjet ndërtimi” e jo “armë shkatërrimi”.

Atëherë, përsëris ftesën për "të promovuar një gazetari të paqes, një gazetari bërë nga njerëz për njerëzit, që kuptohet si shërbim për të tjerët, sidomos për ata – në botë janë shumica – që nuk kanë zë,  gazetari e impenjuar për të treguar zgjidhje të ndryshme nga stili ‘kush bërtet më shumë’ e nga dhuna verbale".

Shpresa e urimi, pra, është që pak nga pak ne si punonjës të komunikimeve shoqërore të përhapim një gazetari ”që nuk i djeg lajmet, por që angazhohet në kërkimin e shkaqeve të vërteta të konflikteve, për të favorizuar mirëkuptimin, duke u nisur nga rrënjët, dhe që punon për tejkalimin e konflikteve përmes fillimit të proceseve të virtytshme".

13 gusht 2019, 12:18