Papa duke rrëfyer një pendestar në Sheshin e Shën Pjetrit Papa duke rrëfyer një pendestar në Sheshin e Shën Pjetrit 

Asnjë aksion ligjor a politik, nuk mund ta dhunojë a ta cënojë Rrëfimin

Kardinali Mauro Piacenza, duke shpjeguar notën e Pendestarisë Apostolike kushtuar rëndësisë së Sakramentit të Pajtimit, që nuk duhet dhunuar për asnjë arsye, pohon: “Meshtari nuk është padron i Rrëfimit, por vepron në emër të Zotit”. “Asnjë aksion politik a nismë ligjore - nënvizohet në tekstin e botuar - nuk mund ta cënojë vulën sakramentore. Është e paprekshme!".

R. SH. - Vatikan

Pas kursit mbi Sakramentin e Rrëfimit, i tridhjeti, zhvilluar në marsin e kaluar, në Pallatin e Kancelarisë, në Romë, dhe audiencës së Papës në përfundim, me më se 700 pjesëmarrësit, Pendestaria Apostolike botoi një notë mbi rëndësinë e ndërgjegjes dhe pacënueshmërinë e vulës sakramentore, miratuar nga Françesku e nënshkruar nga Kryependestari, kardinali Mauro Piacenza dhe nga mëkëmbësi, imzot Krzysztof Nykiel

Paraqitja nga Kardinali Piacenza

Në paraqitjen e dokumentit, kardinali Piacenza shpjegon se vetë Papa na kujton natyrën e shenjtë të botës së brendshme, apo të ndërgjegjes njerëzore, “mjedis intim i marrëdhënieve ndërmjet Zotit e besimtarit”, që nuk kuptohet gjithnjë si duhet e as nuk ruhet, edhe brenda bashkësisë kishtare. Papa - kujtoi në vijim - porosit që ky koncept, i cili ka të bëjë me botën e brendshme të njeriut, “të merret seriozisht”, pa thashetheme  “nga jashtë”, duke pohuar natyrën e padhunueshme e të pacënueshme të vulës sakramentore, garanci “e domosdoshme” për Sakramentin e pajtimit të njeriut me Zotin.

Fshehtësi e padhunueshme

Pendestaria Apostolike - shpjegon kardinali - e njeh shumë mirë “Vlerën e pallogaritshme të sekretit sakramentor, të fshehtësisë e të pacënueshmërisë së ndërgjegjes”, koncepte që sot nuk kuptohen, ose, “në disa raste, edhe kundërshtohen”. Nota - shton - është pasojë e konstatimit se, në shoqërinë e sotme, thellësisht të “mediatizuar”, zhvillimit të mjeteve të komunikimit  nuk i përgjigjet “i njëjti angazhim për kërkimin e së vërtetës”. Përkundrazi:  ndjehet fort  dëshira e sëmurë për qarkullimin e shpejtë të lajmeve, pa marrë fare parasysh janë të vërteta, apo të rreme, të stërmadhuara apo të stërzvogëluara, sipas interesave të njerëzve, që paguajnë penat.

Pendestari flet me Zotin

rrethana të tilla, do të dëshirohej që rendi juridik i Kishës, të barazohej  me ato të shteteve, me pretekstin se duhet të jetë korrekt e transparent. Po Pendestaria Apostolike  - pohon Kardinali Kryependestar - e quan urgjente  t’u kujtojë të gjithëve “pacënueshmërinë absolute të vulës sakramentore”, të bazuar mbi drejtësinë hyjnore, pa bërë asnjë përjashtim. Prandaj është themelore të këmbëngulet në pohimin “se  sekreti i rrëfimit nuk mund të krahasohet në asnjë mënyrë me sekretin profesional të mjekëve, farmacistëve, avokatëve. Pendestari, që gjunjëzohet në rrëfyestore - shton - nuk flet me njeriun, por me “Zotin”. Çdo nismë politike a ligjore, që synon të cënojë paprekshmërinë e sekretit të Sakramentit - lexohet në Notë -  do të ishte fyerje e papranueshme për libertas Ecclesiae - Lirinë e Kishës, që nuk e merr legjitimitetin nga shtetet, por drejtëpërdrejt nga Zoti.

Asnjë kompromis lidhur me mbrojtjen e të miturve

Nota - nënvizon Kryependestari - vë në dukje edhe ato akte të ndërgjegjes,  që kryhen jashtë Sakramentit të rrëfimit, të cilave e drejta kanonike u garanton  “fshehtësi të veçantë”. E trajton edhe  “lloje të tjera fshehtësie”, që kanë të bëjnë me ndërgjegjen, duke ripohuar “parimin e së drejtës natyrore për ta ruajtur sekretin”. Kryependestari thekson edhe se kjo notë “nuk synon kurrsesi të përligjë a të tolerojë rastet e dënueshme, kryer nga anëtarë të klerit”. Nuk mund të pranohet asnjë kompromis, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të miturve, parandalimin dhe kundërvënien ndaj çdo akti shpërdorimi, siç e thekson vazhdimisht edhe Papa Françesku.

Nota kujton, në përfundim, se “mbrojtja e vulës sakramentore dhe e shenjtërisë së rrëfimit, nuk mund të jetë kurrë  formë e bashkëjetesës me të keqen, duke nënvizuar se i përket vetë strukturës së Sakramentit të Rrëfimit, që ka si kusht për vlefshmërinë e tij, pendimin e sinqertë, njëherësh me premtimin për të mos e përsëritur kurrë më të keqen e kryer”.

01 korrik 2019, 17:21