Vatican News
Ndryshimet e klimës Ndryshimet e klimës  (AFP or licensors)

Përvjetori i “Laudato si’”: shkencëtarët t’i përgjigjen krizës së klimës

Ngrohja globale dhe detyrimi për ta ulur rritjen e temperaturës globale deri në një maksimum prej 1.5 °C është urgjencë fizike, morale dhe fetare. Këtë shpjegon Mesazhi i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me të cilin i drejtohet bashkësisë shkencore, katër vjet pas publikimit të enciklikës së Papës mbi mbrojtjen e gjithësisë.

R.SH. - Vatikan

Mban datën e 24 majit 2015, në Solemnitetin e Rrëshajëve, Letra Enciklike “Laudato si’” e Papës Françesku për kujdesin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, një “reflektim i gjatë, i gëzueshëm e dramatik njëkohësisht”, siç shkruhet në përfundim të gjashtë kapitujve.

“Laudato si’” dhe urgjencat e planetit

         Në një mesazh, në përvjetorin e katërt të Enciklikës, Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, i drejtohet bashkësisë shkencore, duke shprehur shqetësimin për planetin, sidomos për respektimin e Marrëveshjes së Parisit mbi Klimën, e cila, pikërisht më 2015, vendosi që shtetet të impenjohen për të mos e kapërcyer rritjen e temperaturës globale me më shumë se 1.5 °C. Jemi akoma në atë dhjetëvjeçar, që u caktua në Paris si kohë maksimale për të ulur ngrohjen globale.

Urgjencë fizike, morale dhe fetare

         Në Mesazh nënvizohet se ky objektiv ka disa aspekte. Përveç urgjencës fizike për ta ulur temperaturën globale, pasi rritja e saj shkakton ndryshime klimatike të skajshme, pragu i caktuar për temperaturën ka edhe një përmasë morale e fetare. Është fjala për mundësinë e fundit që të shpëtohen vende e njerëz, sidomos në zonën bregdetare e, sidomos ndër më të varfërit. “Duhet t’i përgjigjemi me guxim, britmës gjithnjë e më të dhimbshme të tokës dhe të të varfërve”, shkruhet në Mesazh.

         Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh se bota është dhuratë e Zotit për njerëzimin, prandaj “nuk është lëndë për t’u përdorur pa kriter”. Dëmtimi i atmosferës dhe shkatërrimi i ambientit, dëmtojnë Gjithësinë e krijuar nga Hyji. Të mësojmë nga indigjenët, përfundon Mesazhi, të cilët respektojnë natyrshëm shenjtërinë e gjithësisë, pasi Toka është dhuratë e çmuar nga e cila varet e gjithë raca njerëzore.

24 maj 2019, 16:10