Lev në  Sallonin e librit, në Torino Lev në Sallonin e librit, në Torino 

Lev në Sallonin ndërkombëtar të Librit, në Torino

U hap më 9 maj e do të mund të vizitohet deri më 13 të muajit në vijim, edicioni i 32-të i Sallonit ndërkombëtar të librit, në Torino, me temë: “Loja e botës”. E pranishme, edhe Shtëpia Botuese e Vatikanit.

R. SH. - Vatikan

U hap më 9 maj e do të  mund të vizitohet deri më 13 të muajit në vijim, edicioni i 32-të i Sallonit ndërkombëtar të librit, në Torino, me temë: “Loja e botës”. Një fill i kuq po u prin vizitorëve, përmes reflektimeve dhe dialogëve rreth librave dhe leximit, nga autorë e botues prej mbarë botës, gjatë pesë ditëve. E pranishme në Panairin e Librit, edhe Shtëpia Botuese e Vatikanit (Lev).

Si çdo vit, Shtëpia Botuese Vatikanase solli në panair risitë e fundit editoriale, kolanat dhe tekstet magjisteriale të Papës Françesku dhe të paraardhësve të tij, ndërmjet të cilëve, Benedikti XVI e Shën Gjon Pali II. Tema e Sallonit të 32-të “Loja e botës” u mor nga libri i Julio Cortázar (Ixelles, 1914- Paris, 1984), shkrimtar, poet, kritik letrar, eseist e dramaturg argjentinas, me nënshtetësi franceze, mjeshtër i rrëfimit, posaçërisht në llojet e prozës fantastike, metafizike e misterioze. I  vlerësuar shumë nga Borges, autor, ndërmjet të tjerave, i së famshmes “Biblioteka e Babelit” dhe shumë veprave  të tjera të mirënjohura botërisht, krahasohet shpesh me Çehovin dhe Edgar Allan Poe. Ashtu si  autori i temës, Salloni i 32-të me emrin joshës “Loja së botës”, shpreh dëshirën për një kulturë pa pengesa, të aftë për t’i shembur muret e për t’i kapërcyer pa vështirësi kufijtë.

Pavijoni i Lev

Pavijoni i Lev, i shoqëruar nga një insert, frymëzuar nga “loja e kambanës”,  të bie menjëherë në sy, i realizuar siç është me tri ngjyra të freskëta: bardh, gri e verdh. “Ndërmjet tokës e qiellit”, Editoria Vatikanase shprehet përmes forcës së fjalës e përshpirtërisë së artit, duke u bërë urë ndërmjet dijeve të ndryshme. Për këtë arsye pavijoni i Lev ka pamjen e një hapësire të gjerë, pa kufij, ku mund të shkëmbehen lirisht ide nga më të ndryshmet.

Katalogu i Lev, për Sallonin e 32-të Ndërkombëtar të librit të Torinos.

“Katalogu i ri - pohon fra Giulio Cesarèo, Drejtor i Shtëpisë Botuese Vatikanase - shoqërohet nga motoja jonë: “Të besosh e të komunikosh”, sepse kështu edhe është: feja është gjithnjë akt komunikimi me Zotin e me vëllezërit!

Katalogu, organizuar sipas planit editorial të Dikasterit për Komunikimin - ndahet në kapitujt: “Papa”, “Vatikani”, “Kisha”, “Bota”. Lehtëson, prej këndej, gjetjen e argumenteve ose të librave,  sipas interesit të vizitorit, pa harruar se realiteti editorial i Lev është misioni e se dëshirojmë gjithnjë më shumë të dukemi si shtëpi botuese teologjike, e orientuar nga temat e Kishës e të fesë së krishterë. E duhet kujtuar se prej kohe Lev është edhe në mjetet shoqërore të komunikimit e në video. Në Torino mund të shijohen 5 video të fushatës#socialLEV, si dhe të videos “Corporate”, që paraqet pak a shumë kush jemi: identitetin tonë. E i bën jehonë edhe nxitjes apostolike“Christus vivit”, tashmë libër, që mund të gjindet në librari.

Pas sallonit të Torinos, qershorin e ardhshëm, do të organizohen edhe Ditët ndërkombëtare të editorisë katolike.

11 maj 2019, 15:51