Vatican News
 Predikimi i Kreshmëve Predikimi i Kreshmëve  (ANSA)

Atë Cantalamessa: të adhurosh Zotin është privilegj, nevojë, profeci

Ç’do të thotë të adhurosh? Rreth kësaj pyetjeje u shtjellua i gjithë predikimi i katërt i Kreshmëve, mbajtur nga atë Raniero Cantalamessa, në praninë e Papës Françesku dhe anëtarëve të Kuries Romake.

R. SH. - Vatikan

Të adhurosh Zotin do të thotë të kapësh “vetëtimën e dritës në errësirën e natës”, “të  përhumbesh në oqeanin pa brigje e pa fund”, “të zhytesh në honin e pambarim të Zotit”. Do të thotë të perceptosh madhështinë, bukurinë, mirësinë e Zotit e edhe “praninë e Tij, që të lë pa frymë”. Me këto fjalë atë Raniero Cantalamessa e shtjelloi, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, temën e katërt të predikimit të Kreshmëve: “Do ta adhurosh Zotin, Hyjin tënd!”.

Heshtje, në praninë e Zotit

Termi adhurim në zanafillë kishte kuptimin e një gjesti material, atij të përkuljes me fytyrë përdhe përballë ndokujt, në shenjë nderimi e nënshtrimi. E në këtë kuptim plastik - shpjegoi predikatari i Shtëpisë Papnore - fjala adhurim përdoret edhe në Ungjijtë e në Zbulesën e Shën Gjonit. Është gjesti i vetëm fetar, që nuk mund të bëhet për askënd tjetër, as për Zojen e Bekuar, por vetëm për Zotin. Të adhurosh - pohoi atë Cantalamessa, duke kujtuar shprehjen e Shën Gregorit Naziancen - do të thotë “t’ia lartosh Zotit himnin, në heshtje”:

“Nëse don t’i thuash ndonjë gjë, për t’i vënë fre mendjes vagabonde,  mund ta bësh edhe me fjalë. Me fjalët më të thjeshta, më të shkurtëra. Për shembull: ‘Amen, Amen!’. Të adhurosh, do të thotë të miratosh. Do të thotë ta lësh Zotin të jetë Zot. Do të thotë t’i thuash po Zotit si Zot e vetvetes, si krijesë e Zotit”.

Adhurimi e çliron të vërtetën

Adhurimi - shtoi predikatari i Shtëpisë papnore - kërkon, pra, “të përkulesh e të heshtësh”: me adhurimin bëhet therore vetvetja, flijohet “uni”, lavdia jote, vetëvlerësimi yt! Duke adhuruar, çlirohet e vërteta e burgosur nga padrejtësia. Në adhurim përshpejtohet rikthimi i të gjitha sendeve në prehër të Zotit.

Të adhurosh është privilegj

Ashtu si ujët - vërejti rregulltari kapuçin - gjen paqen duke rrjedhur vrullshëm drejt detit e zogu, gëzimin në krahët e erës, kështu edhe adhuruesi gjen paqen e gëzimin, në adhurim:

“Të adhurosh Zotin nuk është detyrim, është privilegj. Njeriu ka nevojë për diçka madhështore, që ta adhurojë! Nuk është, pra, Zoti, ai që ka nevojë të adhurohet, por njeriu, që të adhurojë!”.

Adhurimi eukaristik

Kisha - kujtoi atë Cantalamessa - njeh një formë të posaçme adhurimi: adhurimin eukaristik. Është fryt relativisht i vonë i përshpirtërisë së krishterë,  që nis të zhvillohet në Perëndim në fillimet e shekullit XI:

“Duke qëndruar në heshtje të thellë para Jezusit në sakrament ose para ndonjë ikone të Tij, dorëzohen të gjitha projektet, për t’u bërë vend planeve të Krishtit, dritë, që depërton në zemër dhe e shëron”.

Si gjethet e gjelbra

Me adhurimin eukaristik ndodh, çka ndodh me pemët në pranverë: procesi i fotosintezës:

“Degët e pemëve mbushen me gjethe të gjelbra; e gjethet thithin nga atmosfera elementet të cilat, nën veprimin e dritës diellore, fiksohen e shndërrohen në ushqim për bimën. Pa këto fletëza të blerta, bima nuk do të mund të rritej e të sillte fryte e as nuk do të mund të ndihmonte për të riprodhuar oksigjenin, që e thithim çdo çast. Ne duhet të jemi pikërisht si këto gjethe të gjelbra”.

 Hire të fshehura

Atë Cantalamessa kujtoi edhe poetin Giuseppe Ungaretti i cili, duke kundruar agimin në bregdet, në çastin e shkrepjes së rrezes së parë të diellit, shkroi një poezi me dy vargje të vetme, edhe ato, fare të shkurtra. Tri fjalë gjithsejt. “Shndritem nga pambarimi!”. Janë fjalë, që mund t’i bëjë të vetat kush është në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament. Para Atij, që s’pati kurrë fillim, as s’ka kurrë për të pasë mbarim! “Veç Zoti e di sa hire të fshehta zbritën mbi Kishën e mbi këta shpirtra adhuruese”.

Përtërtija karizmatike katolike

Në këtë predikim, rregulltari kujtoi se në vitin 1967 nisi Përtëritja karizmatike katolike, e cila në këto pesëdhjetë vjet preku e përtëriu  miliona besimtarë, duke nxitur lindjen në Kishë të shumë realiteteve të reja, personale e komunitare.

“Nuk ngulmohet kurrë aq sa duhet - nënvizoi predikatari - mbi faktin se kjo nuk është lëvizje kishtare, në kuptimin e zakonshëm të këtij termi; është rrjedhë hiri për mbarë Kishën, injeksion i Shpirtit Shenjt, për të cilin ajo ka dëshprimisht nevojë”.

“Këtu është Zoti!”

Adhurimi eukaristik - vijoi të pohojë atë Cantalamessa - është edhe formë e Ungjillëzimit, e madje, ndër më të frytshmet:

“Shumë famulli e bashkësi, që e kanë vënë në orarin e tyre të përditshëm ose javor, e provojnë këtë. Pamja e njerëzve të cilët në muzg a natën, adhurojnë në heshtje të Shenjtnueshmin, në një kishë të ndriçuar, i nxit shumë kalimtarë të hyjnë e, pas disa çasteve ndalese, të brohorasin: “Këtu është Zoti!”.

Adhurimi ndërmjet eskatologjisë e profecisë

Kundrimi i krishterë është gjithnjë gërshetim i dy shikimeve e, ndonëse nganjëherë sytë tanë ulen, sytë e Zotit nuk ulen kurrë. Janë gjithnjë të ngulur mbi ne! Duke kundruar Jezusin në Sakramentin e altarit - përfundoi atë Cantalamessa - ne realizojmë profecinë e shqiptuar në çastin e vdekjes së Jezusit mbi kryq: “Do ta shikojnë Atë, që e shporuan” (Gjn 19,37):

“Ky kundrim është vetë profecia, sepse përshpejton atë që do të bëjmë përgjithmonë e jetës në Jeruzalemin qiellor. Është veprimtaria më eskatologjike e më profetike, që mund të kryhet në Kishë. Në fund nuk do të flijohet më qengji,  as nuk do të hahet më korpi i  tij . Do të  marrin fund  shugurimi e kungimi; por nuk do të mbarojë kurrë kundrimi i Qengjit të flijuar për ne!”.

 

05 prill 2019, 13:47