Seminar drejt Sinodit të veçantë të ipeshkvijve për Amazonën
R.SH. - Vatikan
Në seminar, lexohet në një komunikatë të Sallës së Shtypit, që mban datën 1 mars, morën pjesë rreth 80 vetë, ndër të cilët, kryetarët e 7 Konferencave Ipeshkvnore të zonës amazonike, disa krerë dikasteresh të Kuries Romake, presidenca e Rrjetit kishtar panamazonik (Repam), ipeshkvij të ndryshëm, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, laikë e laike nga Amazona e nga zona të tjera gjeografike.
Seminari shqyrtoi disa aspekte kishtare dhe baritore në dritën e Nxitjes Apostolike “Evangelii Gaudium”, si edhe disa çështje lidhur me promovimin e ekologjisë së gjithanshme, që u trajtuan në horizontin e enciklikës “Laudato si’”.
Ditët e reflektimit në Romë “krijuan një bazë të fuqishme për Sinodin e ardhshëm, i cili do të përvijojë një baritori kishtare të kujdesshme ndaj larmisë së Amazonës e ndaj të gjitha aspekteve të saj kulturore dhe kishtare. Etërit sinodalë ecin kështu drejt një Kishe amazonike të guximshme në shpalljen e Ungjillit dhe në mbrojtjen e Gjithësisë e të popujve indigjenë”.