Vatican News
Papa Gjon Pali II Papa Gjon Pali II 

Buttiglione: “Muri i Berlinit nisi të lëkundej me shtegtimin e Wojtylës në Poloni, më 1979”.

Intervistë e filozofit Rocco Buttiglione kushtuar kontributit të Gjon Palit II për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë, tridhjetë vjet më parë, dhe lindjes së Evropës së re.

R. SH. - Vatikan

“Gjithçka nisi në qershor të vitit 1979, kur Gjon Pali II shkoi në Poloni” - pohon Rocco Buttiglione, profesor i filozofisë dhe i historisë së institucioneve evropiane pranë Universitetit Papnor Lateranens të Romës, mik i Wojtylës dhe studiues i Papnisë së Tij.

Profesor, cili  ishte, sipas Jush, kontributi i Gjon Palit II në rënien e Murit të Berlinit?

“Muri i Berlinit nuk do të kishte rënë, po të mos ishin tryeza e rrumbullakët polake dhe zgjedhjet e qershorit 1989 në Poloni, zgjedhjet e para (gjysëm) të lira në një vend komunist. Gjithsesi, fillesa duhet kërkuar pikërisht në vitin 1979, kur Gjon Pali II shkoi në Poloni. Atje, në Varshavë, në Sheshin “Fitorja”, përballë një milion polakëve, theksoi se me zgjedhjen e një pape polak, Polonia ngarkohej me një përgjegjësi të krishterë krejt të posaçme. E më pas, duke përshëndetur turmën oqeanike, iu lut Shpirtit Shenjt: “Eja, e rinoje faqen e Tokës!”. Atë natë, miku i madh, e edhe filozof i madh, Józef Tischner, më pati thënë: “Diçka duhet të ndodhë. Askush nuk e di se çka, por asgjë nuk mund të jetë më si më parë”. Në gusht të ’80-tës, një vit më pas, Lech Walesa kapërcente kangjellat e Kantiereve Detare të Dancigut dhe niste epopenë e Solidarność. Rregulli (a më mirë, çrregulli) evropian, i sanksionuar në Jaltën, e cila ia dorëzoi gjysmën e kontinentit totalitarizmit komunist dhe imperializmit sovjetik, u sfidua nga një revolucion i krishterë paqësor, i padhunë, që nuk kërkoi kurrë të derdhë gjak tjetër, veç atij të martirëve të vet, e i bëri thirrje ndërgjegjes së atyre, që e kishin derdhur sa kishin mundur. Ishte revolucion i ndërgjegjeve!”.

Çka e pengoi, në Poloni, një gjakderdhje të mundshme, si ajo që ndodhi më parë në Hungari e në Çekosllovaki?

“Në dhjetor të vitit 1981, kur u organizua grushti i shtetit i Jaruzelsky-t, krahu më fanatik i komunistëve deshi ta mbyste në gjak Solidarność,  ndërsa pala tjetër përgatitej për kryengritje. Atëhere Gjon Pali II i kërkoi Solidarność t’i qëndronte besnik metodës së mospërdorimit të dhunës e të dialogut dhe arriti të siguronte nga Jaruzelsky, garancinë për jetën e të burgosurve politikë. Më vonë, kur Muri i Berlinit u lëkund e ra, qe përsëri Gjon Pali II ai, që i orientoi energjitë e popujve në rrugën e faljes, të pajtimit, të rindërtimit material e moral. Ishte kjo, baza kulturore dhe shpirtërore mbi të cilën Helmut Kohl ndërtoi projektin e një Evrope të re, me ribashkimin gjerman, monedhën e përbashkët, ndërtimin e një ekonomie funksionuese e me Shtetin e së Drejtës në vendet ish-komuniste. Kur Gjon Pali II shkoi për vizitë në Berlin, në qershor 1996, Kohl në fillim, u lëkund. E dinte se teologët gjermanë nuk kishin ndonjë simpati të madhe për Papën polak. E edhe se paragjykimet antipolake ishin ende gjallë në shtresat jo të papërfillshme të popullsisë gjermane. Kishte frikë nga një dështim i mundshëm! Por, në mbrëmje, më telefonoi e më tha: “Rocco, kishe të drejtë! I çoi peshë të gjithë! Mjafton të mendosh se mblodhi më shumë njerëz, sesa në manifestimin e Frauenkirche”, në atë takim, në të cilin pati mbajtur fjalimin e famshën, prej nga nisi ribashkimi gjerman, nën tingujt e këngës “Wir sind ein Volk” - “Ne jemi një popull i vetëm!”.     

Ç’mendoni për Karol Wojtylën si teolog e si burrë shteti?

“Ishte filozofi dhe teologu i Koncilit. Popujt, në fillim të historisë së Evropës,  u pagëzuan në fenë e mbretërve të tyre, pikërisht si fëmijët, në fenë e prindërve të tyre. Klodoveu u kthye në fenë e krishterë, e me të u pagëzuan Frankët; u kthye edhe Jogaja, me me të, lituanët. Tani  ka ardhur koha, në të cilën Shpirti Shenjt kërkon të personalizohet feja, të pranohet si formë e identitetit personal. Është koha e sakramentit të përforcimit, koha e Krezmimit të Kombeve. Jo rastësisht Wojtyla fliste për ungjillëzimin e Evropës. Ungjillëzimi i ri nuk është thjesht përgjigje, që i jepet shkristianizmit. Është përpjekje për të edukuar një fe, që ka arritur pjekurinë, fe personale. E edhe përgjigje, që i jepet një shoqërie të paqëndrueshme, në të cilën kënaqen të gjitha instinktet, ndërsa kërkesat themelore të humanitetit tonë mbeten pa përgjigje. Adoleshenca është kohë, nga e cila mund të dilet me një regresion fëmijnor, ose duke fituar një personalitet të pjekur e të lirë. Nuk di nëse do të kishte pranuar të quhej burrë shteti. Ndërsa do ta kishte ndjerë veten fare të kënaqur me epitetin “dishepull misionar”, që i pëlqente aq shumë. Kjo nuk do të thotë se papnia e tij nuk pati  pasoja të mëdha politike. Ndonëse ai nuk merrej me politikë: fliste për pasionet e mëdha, që e tundin zemrën njerëzore e, duke e bërë këtë, pashmangshmërisht, ia ndryshonte datat e nisjes  aksioneve politike.

Ç’ vizion kishte Gjon Pali II për politikën?  

“Ai i fliste shpirtit të Kombeve. Të gjithë mendonin se historinë e vë në lëvizje ekonomia, pushteti, paraja! Të gjithë mendonin se kombet kishin vdekur. Ndërsa ata dremisnin e, kur ia dëgjuan zërin, u rizgjuan menjëherë. Shumë mendonin se edhe feja kishte vdekur e pasioni për të vërtetën ishte varrosur. Po ai i rizgjoi e feja u bë përsëri forcë lëvizëse e historisë”.

Stili i qeverisjes i Wojtylës?

“Ishte njeri, që kishte shumë miq. Në Krakov, qytet ku ishte ipeshkëv, vështirë se gjeje ndokënd, që nuk e mbante veten mikun e tij personal. Në bazë të filozofisë së tij ishte mendimi se e vetmja sjellje e drejtë ndaj njeriut, është ta duash. Ai e donte me pasion fatin e njeriut, që e kishte para vetes. Për të realizuar koncilin në dioqezën e tij, organizoi një Sinod të jashtëzakonshëm, që zgjati shtatë vjet. E para se ta niste, shkroi librin “Në burimet përtëritjes”, duke u paraprirë të gjitha dokumenteve të Sinodit. Kur ia pata cekur këtë dhe e pyeta pse e kishte bërë Sinodin, nëse e kishte pasë gjithçka fare të qartë, u përgjigj: “Rezultati i Sinodit nuk janë dokumentet. Janë 50 mijë vetë, që punuan së bashku, u mësuan ta nderojnë njëri-tjetrin, mësuan bashkimin si stil jete. Janë ata, arkitrau i Kishës në Krakov. Shumë prej tyre u bënë më pas protagonistë edhe të jetës kulturore e politike të qytetit e të mbarë Polonisë. Duke folur me gjuhën e Papës Françesku, mund të themi se shqetësohej më shumë për të aktivizuar proceset, sesa për të mbuluar e për të mbrojtur hapësirat”.

Dy fjalë për marrëdhëniet e Papës Wojtyla me Kurien vatikanase: marrëdhënie  bashkëpunimi, apo rezistence?

“Kjo duhet t’i kërkohet ndonjerit nga burrat e Kuries… Gjon Pali II nuk studioi në një shkollë, që të përgatit edhe për t’u bërë papë. I fundmi  që studioi në një shkollë të tillë ishte Pali VI. Kolegji i Kardinajve, në katër konklavet e fundit, zgjodhi më shumë njerëz me përvojë të madhe baritore, me kulturë të lartë, por jo njerëz, që i njihnin hollësisht mekanizmat e brendshme të qeverisjes së Kishës. Në fillim Gjon Pali II u përpoq të reformonte Kurien, gjë që ia besoi kardinalit Edourad Gagnon. Pastaj u bind se detyrat e tjera më urgjente, që i përshtateshin më shumë, duhet t’i kryente ai vetë, me gjithë  vëmendjen e mundshme. E ndjente fuqimisht se ishte i thirrur për detyrën e predikimit e të ungjillëzimit. Kishte një mesazh për të komunikuar e me këtë mesazh tundi botën e i dhuroi Kishës një frymëmarrje të re: “Shëlbuesi i botës, Jezu Krishti, është qendra e Gjithësisë dhe e historisë!”. Ndoqi kështu, qëllimin që kishte në zemër, kryesisht ungjillëzimin e ri, duke u mbështeur, për administrimin e zakonshëm, mbi disa kardinaj me përvojë të madhe”.

 

Kështu mbeti në kujtesë të Kishës e të mbarë njerëzimit, Papa Polak…

 

16 mars 2019, 11:16