Atë Cantalamessa mban predikimin e  tretë të Kreshmëve Atë Cantalamessa mban predikimin e tretë të Kreshmëve 

Atë Cantalamessa: idhujt kanë ndërruar emër, por janë të pranishëm më shumë se kurrë

Sot, predikatari i Shtëpisë Papnore mbajti, në Kapelën Redemptoris Mater, predikimin e tretë të Kreshmëve, në praninë e Papës Françesku dhe anëtarëve të Kuries Romake. Në qendër të reflektimit: “Idhujtaria, antitezë e Zotit të gjallë”.

Sot, predikatari i Shtëpisë Papnore mbajti, në Kapelën Redemptoris Mater,  predikimin e tretë të Kreshmëve, në praninë e Papës Françesku dhe  anëtarëve të Kuries Romake. Në qendër të reflektimit: “Idhujtaria, antitezë e Zotit të gjallë”.

Atë Cantalamessa: idhujt kanë ndërruar emër, por janë të pranishëm më shumë se kurrë

“Sipërmarrja e vërtetë e jetës, është kthimi ynë në rrugën e Zotit, duke e çrrënjosur çdo formë të idhujtarisë”. Kështu u shpreh Atë Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, gjatë predikimit të tretë të Kreshmëve, në praninë e Papës dhe të Kuries Romake. Kapuçini saktësoi se duhet zgjuar hovshëm ndërgjegjja, duke pranuar se beteja kundër idhujtarisë nuk  përfundon me përfundimin e paganizmit historik. Vijon akoma! Idhujt kanë ndërruar emër, por janë më të pranishëm se kurrë”.

Viçi i artë fshihet në zemrat tona

Atë Raniero Cantalamessa kujtoi se Shën Pali e i ka bërë analizën më të saktë e më të thellë idhujtarisë. Apostulli përshkruan hollësisht gjendjen e njerëzimit para Krishtit e jashtë Tij. Kujton, thënë me pak fjalë, “prej nga niset procesi i ringjalljes”: “nuk niset nga zeroja, nga natyra, por nga nënzeroja, nga mëkati”. E ndahet në dy kategori, “Grekë e Judenj”, domethënë “paganë e besimtarë”. Shën Pali e gjen mëkatin mortar të të parëve, në pabesinë e padrejtësinë:

“E këtë pabesi  apostulli na e shpjegon menjëherë, duke na sqaruar  se pabesia nuk është tjetër, veçse mospranimi i njeriut për ta ‘lumnuar’ e ‘për ta falënderuar’ Zotin. Me fjalë të tjera, mospranimi për ta pranuar Zotin si Zot e për të mos i dhënë vendin, që i takon. E kjo do të thotë ‘ta injorosh’ Zotin, ‘të bësh sikur nuk e di se ekziston’”.

Atë Cantalamessa: jeta e shthurur është sëmundja mortare, që na josh të gjithë

Apostulli - shpjegoi predikatari i Shtëpisë Papnore - e provoi mbi lëkurën e vet këtë joshje kur, nga farize që ishte, u bë i krishterë, e prandaj tani  mund të flasë me shumë siguri e t’u tregojë me gisht besimtarëve, rrugën për të dalë nga farizeizmi:

“Ai ia çjerr maskën iluzionit të çuditshëm e të vazhdueshëm të njerëzve të përshpirtshëm e fetarë, që besojnë se janë të paprekshëm nga zemërimi i Zotit, vetëm sepse kanë ide të qartë mbi të mirën e mbi të keqen, se e njohin ligjin e, sipas rastit, dinë ta zbatojnë mrekullisht, kur kanë punë me të tjerët. Ndërsa për vete kujtojnë se kanë privilegjin të jenë përkrah Zotit, ose se ‘mirësia dhe durimi Zotit, të cilin e njohin mirë, do të bëjnë një përjashtim për ta’”.

Nga dëgjimi i kësaj fjale të Palit, dilet ose i kthyer, ose i ngurtësuar; ose pranon plotësisht se je mëkatar, ose zemra të gurëzohet më tej e ngul këmbë edhe më keqas në mospendim.

Format e reja të idhujtarisë dhe kthimi në rrugën e Zotit

Një idhujtari e fshehtë i zë pritë njeriut të fesë - ngulmoi kapuçini -  kur ky i fundit nis të adhurojë veprën e duarve të veta, duke e vënë “krijesën, në vendin e Krijuesit”. E krijesa mund të jetë shtëpia a kisha, që ndërton; familja, që krijon; djali, që nxjerr në dritë.

Në fund, idhujtaria s’është tjetër, veçse vetadhurim, kult i vetvetes, dashuri e pakufishme për veten, vënie e vetvetes në qendrën e në vendin e parë të universit, duke flijuar për të gjithçka tjetër. Mjafton të mësohemi ta dëgjojmë vetveten, ndërsa flasim, për të zbuluar sakaq si quhet idhulli ynë, sepse, siç na e kujton Jezusi, ‘goja qet ç’ka zemra”(Mt 12,34). Kujtohemi menjëherë sa prej frazave tona nisin me fjalën “unë”:

“Rezultati është përherë pabesia, është mospranimi për ta lumnuar Zotin, por gjithnjë e vetëm vetveten”.

Shumë pemë shtatlarta - shtoi atë Cantalamessa, duke përdorur, për konceptin, një figurë – kanë një rrënjë nënë, e cila zbret pingul nën trung, duke e bërë drurin të fortë të patundur: derisa të mos i vihet sopata kësaj rrënje, mund t’i cungosh të gjitha rrënjët anësore, po druri nuk shembet, sepse mbahet fort pas rrënjës kryesore. Prej këndej mund të themi se kur përkulemi vetëm para vetvetes, kthesa e vërtetë mund të bëhet vetëm duke u drejtuar, domethënë, duke bërë kthesë, duke ndërruar rrugë e duke u kthyer në rrugën e Zotit”:

“Nëse kthehem me gjithë vetveten kah ana e Zotit, duke iu kundërvënë “unit” tim të dashur, nëse bëhem aleat i Tij, atëhere nuk jam më vetëm: jemi dy në betejën kundër të njëjtit armik e fitorja jonë  është e siguruar. Uni ynë, si peshk pa ujë, mund të vijojë të përpëlitet e të rropatet për një copë herë, por më në fund do të shuajë, sepse nuk jeton dot pa ujë. Ndërsa për ne kjo nuk është vdekje, por rilindje”.

29 mars 2019, 13:39