Atë Zollner paraqet takimin për mbrojtjen e të miturve
R. SH. - Vatikan
Javën që vjen, nga 21 deri më 24 shkurt, në Vatikan do të mbahet samiti mbi mbrojtjen e të miturve në Kishë, në të cilin marrin pjesë kryetarët e të gjitha Konferencave Ipeshkëvnore të botës, ndër ta edhe kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore katolike të Shqipërisë, kryeipeshkvi Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo . Është fjala për një takim barinjsh, organizuar sipas dëshirës së Papës Françesku.
85% e të miturve në Lindjen e Mesme dhe në fashën veriafrikane, janë viktima të dhunës: të plagosur në korp, në psikikë e në shpirt nga shpëdorimet seksuale, luftërat, terrorizmi, rekrutimi i detyruar në milicitë fëminore, mungesa e drejtësisë në çdo nivel. Është fjala për 85 milionë fëmijë e adoleshentë. Nga kjo e dhënë, një grusht i vërtetë mbi stomakun e, sidomos, mbi ndërgjejgjen e të gjithëve, u nis atë Zollner, për të paraqitur - në një takim, mbajtur dy ditë më parë në Romë me gazetarët - vijat kryesore të samitit mbi mbrojtjen e të miturve në Kishë, që do të mbahet në Vatikan, nga 21 der më 24 shkurt. “Kush flet për këta 85 milionë fëmijë? - pyeti - e kush ua vë veshin?”- vijoi me pikëllim anëtari i komitetit organizues të samitit - Askush! Po ndërgjegjja, vetëdija, është hapi i parë, vendimtar, për ta përballuar këtë dramë.
Do të jetë takim barinjsh
Do të jetë takim barinjsh. Ky, një nga hapat themelore, që do të bëhen në takimin, organizuar sipas dëshirës së Papës. Do të jetë - saktësoi jezuiti - takim barinjsh që, për herë të parë, do ta shqyrtojë çështjen e mbrojtjes së të miturve në Kishë në mënyrë sistematike, duke pasur parasysh edhe strukturat, si dhe procedurat, në nivel global.
Sinodaliteti: një nga elementet kyçe të samitit
Ky takim - kujtoi atë Zollner - në të cilin do të marrë pjesë rregullisht edhe Papa, do të ndërtohet mbi tri pika kryesore. Ditën e parë do të diskutohet mbi përgjegjësitë baritore e juridike të ipeshkvit. Do të vendoset - ditën e dytë të punimeve - cili ipeshkëv a epror a urdhër duhet të flasë për veprimtarinë e vet në këtë drejtim, duke vënë në dukje çfarë strukturash, procedurash e metodash janë konkretisht të zbatueshme. E ky është aspekti, që ka të bëjë drejtpërdrejt me sinodalitetin, një nga elementet kyçe të samitit të fundshkurtit. Pastaj, dita e tretë do t’i kushtohet temës së transparencës. Transparencë e brendshme, natyrisht, por lidhur edhe me autoritetet shtetërore e me mbarë popullin e Zotit.
Problemi i vërtetë është si të ndryshohet sjellja
Themelore - shtoi kryetari i Qendrës për mbrojtjen e të miturve pranë Universitetit Papnor Gregorian - është të kuptohet se normat nuk mjaftojnë, se qartësia e procedurave nuk mund ta zgjidhë magjikisht problemin. E problemi i vërtetë është si mund të arrihet tek ndryshimi i sjelljes. Një ndihmë mund të vijë nga dëgjimi i drejtpërdrejtë i viktimave të shpërdorimeve. Dëgjim, që të gjithë ipeshkvijtë janë ftuar ta bëjnë në vendet e tyre e që do të jetë i mundur edhe gjatë samitit, falë disa dëshmive të parashikuara tashmë në program. “Kush dëgjon vërtet britmën për ndihmë, që vjen prej njërës nga këto viktima - nënvizon atë Zollner - vajin, plagët e psikikës, të korpit, të zemrës e të fesë, nuk do të mund të mbetet, siç ishte më parë. Do të jetë ky, njëri nga mjetet kryesore për t’i bërë të vetëdijshëm përfaqësuesit e mbarë Kishës. Është fjala - saktësoi jezuiti - për një etapë të udhës së gjatë, në të cilën duhet ecur - por sidoqoftë, edhe rast për të bërë diçka të rëndësishme.