Kardinali Filoni. Papa në Gadishullin arabik: shenjë shprese

Shtegtimi i Papës në Emiratet Arabe. Intervistë e Agjencisë Fides me kardinalin Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.

R. SH. - Vatikan

“Vizita e Papës mund të kontribuojë për promovimin e dialogut islamo-kristian. Por duhet kujtuar se nuk nisemi nga zeroja, ndonëse shpesh vihen në dukje vetëm aspektet më problematike ose negative. Po baza ekziston gjithnjë, e mbi të mund të ecet: fakti që Papa shkon për herë të parë në gadishullin arabik, është shenjë shumë pozitive, shenjë shprese. E pohon, në një intervistë dhënë Agjencisë Fides, kardinali Fernando Filoni, Prefekt i Dikasterit vatikanas me jurisdiksion mbi Vikariatet Apostolike të Gadishullit arabik, si dhe mbi të gjitha bashkësitë katolike të zonës, në vigjilje të shtegtimit të Papës Françesku, që do të jetë në Emiratet Arabe nga 3 deri më 5 shkurt.

Papa Françesku shkon në gadishullin arabik: ç’situatë gjen, si jetojnë bashkësitë kristiane vendase?

“Bashkësitë katolike të pranishme në rajonin e madh të Gadishullit arabik janë të organizuara në makro-rajone kishtare: në Vikariatin apostolik të Arabisë veriore, që përfshin Arabinë Saudite, Bahrainin, Qatarin e Kuwaitin dhe në Vikariatin apostolik të Arabisë jugore, me Emiratet Arabe të Bashkuara, Omanin e Jemenin. Në të gjithë gadishullin, me shumicë islamike, prania e krishterë nis me bashkësitë e lashta të ritit lindor, të vendosura  gjatë brigjeve të Gjirit Persik, që pastaj u përhapën në të gjithë Lindjen e Mesme  Sot, prania e të krishterëve në gadishullin arabik, lidhet me emigrantët: nuk ka bashkësi vendase. Nuk mungojnë as disa të krishterë arabë, por janë individë të veçantë”.

Emiratet Arabe kremtojnë në 2019-tën vitin e Tolerancës, e liria e kultit është gjerësisht e garantuar. A mund të jenë shembull për vendet e zonës?

“Viti i tolerances, që kremtohet në Emiratet, mund të jetë shembull për gjithë zonën. E edhe pikënisje për mbarë rajonin: hapi i parë i bashkëjetesës civile është të mos luftosh, të respektosh e të jesh tolerant me tjetrin. Toleranca është këmba e parë e shkallës, jo objektivi i fundit, që është njohja e të drejtave themelore të të gjithëve: e dinjitetit njerëzor, të drejtave shoqërore, civile, fetare. Drejt kësaj duhet të shkojmë me hapa të vegjël, sipas planeve providenciale të Zotit, duke i pasur mirë parasysh  realitetet politike, kulturore e shoqërore të çdo kombi”.

Mendoni se shtegtimi papnor mund të kontribuojë për dialogun islamo-kristian?

“Sigurisht që vizita e Papës do të kontribuojë për nxitjen e dialogut. Po duhet thënë se nuk nisemi nga zeroja e edhe se shpesh  vihen në dukje vetëm aspektet më problematike ose më negative. Në islam, kristianizmi dhe hebraizmi janë fetë e Librit, gjë që do të thotë se dialogu ndërfetar niset nga një bazë reale. Shumë elemente të fesë së krishterë e islamike janë të përbashkëta:  besimi në një Zot të vetëm, atësia e Abrahamit, lutja, agjërimi, bamirësia, shtegtimi. Të gjitha, aspekte bazale të të tre besimeve, pa harruar respektin për Jezusin, parë nga njëra palë si Bir i Zotit, nga tjetra, si Profet i madh; kështu edhe dashuria për Marinë, së cilës gratë myslimane i luten, kur u afrohet ora e lindjes. Për shekuj të krishterët e myslimanët kanë jetuar në paqe, e pikërisht këto elemente duhen forcuar sot, edhe falë një politike të ndriçuar. Baza është! Tani mund të bëhen hapa përpara: fakti që Papa po shkon për herë të parë në Gadishullin arabik, është shenjë shumë pozitive, shenjë shprese!”.

02 shkurt 2019, 17:11