Drejtori "ad interim" i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti Drejtori "ad interim" i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti 

Gisotti: Selia e Shenjtë dhe ipeshkvijtë venezuelanë punojnë së bashku për të ndihmuar popullsinë

Të enjten e kaluar, Nicolás Maduro bëri betimin për mandatin e tij të dytë si president i Venezuelës. Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, i pyetur për praninë në ceremoni të një përfaqësuesi të Selisë së Shenjtë, kujtoi qëllimet e veprimtarisë diplomatike të Selisë Apostolike.

R.SH. - Vatikan

Duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve mbi praninë e një përfaqësuesi të Selisë së Shenjtë në ceremoninë e përurimit të mandatit të ri presidencial në Venezuelë, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, pohoi:

“Selia e Shenjtë mban marrëdhënie diplomatike me shtetin venezuelian. Veprimtaria e saj diplomatike synon të promovojë të mirën e përbashkët, të mbrojë paqen dhe të garantojë respekt për dinjitetin njerëzor. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë ka vendosur të përfaqësohet në ceremoninë e përurimit të presidencës, nga ana e të Ngarkuarit me Punë ‘ad interim’ në Nunciaturën Apostolike të Karakasit. Selia e Shenjtë dhe ipeshkvijtë e vendit vazhdojnë të punojnë së bashku për të ndihmuar popullin venezuelian, që po vuan nga ndërlikimet humanitare dhe shoqërore të gjendjes serioze, me të cilën ballafaqohet kombi”.

14 janar 2019, 15:35