Abuzimet: takimi i shkurtit në Vatikan mbi mbrojtjen e të miturve
R. SH. - Vatikan
Takimi i shkurtit për mbrojtjen e të miturve ka një qëllim konkret: që të gjithë ipeshkvijtë ta kenë absolutisht të qartë ç’duhet të bëjnë për ta parandaluar e për ta luftuar dramën botërore të shpërdorimeve mbi të miturit”. Papa Françesku e di se një problem global mund të përballohet vetëm duke i dhënë përgjigje globale. E nuk dëshiron që takimi të jetë kuvend studimesh, por “mbledhje e barinjve, takim lutjeje e shqyrtimi, katekistik e operativ”. E shpjegoi këtë sot Alessandro Gisotti, drejtor ad interim i Sallës vatikanase të shtypit, duke u takuar me gazetarët pas shpërndarjes së komunikatës mbi takimin “Mbrojtja e të miturve në Kishë”, që do të mbahet në Vatikan.
Të vetëdijshëm për parandalimin e shpërdorimeve
Për Atin e Shenjtë - kujtoi Gisotti - ka rëndësi themelore që, duke u rikthyer në vendet e tyre, në dioqezat e tyre, ipeshkvijtë e ardhur në Romë të jenë të vetëdijshëm për rregullat që duhen zbatuar e të bëjnë edhe hapat e nevojshme për t’i parandaluar shpërdorimet, për t’i ruajtur viktimat e për të vepruar në mënyrë që asnjë fajtor të mos mbrohet a të fshihet.
Lidhur me shpresat e mëdha me të cilat pritet takimi, është mirë të nënvizojmë se Kisha, në luftën kundër abuzimeve, nuk është në fazën e pikënisjes. Takimi është etapë e një udhe të dhimbshme, por pa asnjë ndalesë, që Kisha po e bën vendosmërisht që prej pesëmbëdhjetë vjetësh”.
Bashkëkretimet përfundimtare
Bashkëkremtimi solemn përfundimtar - njoftoi përveç të tjerave Gisotti - do të mbahet të dielë paradite, ndërsa liturgjia pendestare, të shtunën pasdite. Më 18 shkurt - njoftoi - do të mbahet konferenca e shtypit për hollësitë e tjera mbi takimin e shkurtit, gjatë së cilës parashikohen edhe takimet e përditshme në sallën vatikanase të Shtypit, me përkthim të njëkohshëm në gjuhë të ndryshme.