Shpella Betlehemi nga mbarë bota, në Vatikan
Nga Piazza del Popolo - në Via della Cociliazione: pas 43 vjetësh ekspozita “100 Shpella Betlehemi” zhvendoset në Vatikan, falë Mariacarla Menaglia-s, drejtoreshë e “Revistës së Kombeve”, organizatore e ngjarjes gjatë viteve të kaluara. Ekspozita promovohet nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.
Imzot Fisichella: Shpella e Betlehemit, mesazh paqeje e dialogu
Në paraqitjen e ekspozitës, kryetari i Dikasterit vatikanas, imzot Rino Fisichella, kujtoi se “Shpella e Betlehemit është një nga simbolet, që mund t’i sjellin njerëzimit mesazhin e paqes, të dialogut, të mikpritjes, duke i ftuar të gjithë të punojnë për një botë më të mirë”.
Ndërmjet të ftuarve në festën e përurimit, ishte dhe ambasadorja e Panamasë pranë Selisë së Shenjtë, Moroslava Rosas Vargas, si përfaqësuese e vendit që, më 22 deri më 27 janar 2019, do të mikpresë Ditën Botërore të Rinisë. Në Sallën Piu IX, një kor i madh këndoi himnin e kësaj Dite! Titullohet “Agimi i shpresës” dhe nis me strofën:
“Jam i shënuar gjithnjë
Me shenjën e Shëlbuesit-Mesi
Që nga Mali i Korkovados,
Botën pushton me dashuri”.
Shpella Betlehemi nga mbarë bota
Njëqind e njëzet e gjashtë Shpella Betlehemi të pranishme. Shtegtim i vërtetë në traditat e botës: nga arti i Betlehemeve napoletane, tek Krishtlindja në burg, realizuar nga të burgosurit e bashkësisë Villa Maraini. Në ekspozitë mund të soditësh edhe Shpella Betlehemi dhuruar nga disa ambasada, ndërmjet të cilave, ajo e Panamasë, e Polonisë, e Republikës Çeke, Sllovenisë. Madje është edhe një Shpellë kineze, sepse Krishti natyrisht, lind çdo vit edhe në Kinë! Fantazia e mjeshtrave të Betlehemit duket edhe në materialet e përdorura, si brum letre, korale, brumi mielli, thupra mbledhur në plazh, guaska deti… E hapur deri më 13 janar, hyrja është falas!