Katedralja e Ho Chi Minh, Vietnam Katedralja e Ho Chi Minh, Vietnam 

Arrihet marrëveshja ndërmjet Vietnamit dhe Selisë së Shenjtë

Të dyja palët diskutuan dhe arritën një marrëveshje mbi çështjet më të rëndësishme për ta rritur, në të ardhmen, nivelin e marrëdhënieve ndërmjet Vietnamit e Selisë së Shenjtë, nga përfaqësuesi papnor jo i përhershëm, në përfaqësues papnor të përhershëm.

R.SH. - Vatikan

Më 19 dhjetor, u zhvillua në Hanoi, Takimi i shtatë i Grupit të Përbashkët të Punës ndërmjet Vietnamit dhe Selisë së Shenjtë, kryesuar bashkarisht nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, kreu i Delegacionit të Vietnamit, Bui Thanh Son dhe nga imzot Antoine Camilleri, Zv.Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kreu i Delegacionit të Selisë së Shenjtë. Takimi u mbajt në një atmosferë miqësore e respekti. Njoftimin e jep Zyra e Shtypit të Vatikanit.

Zhvillime pozitive në marrëdhëniet dypalëshe

         Të dyja palët folën gjerësisht mbi marrëdhëniet Vietnam-Seli e Shenjtë, duke përfshirë çështjet, që kanë të bëjnë me Kishën Katolike në Vietnam. Delegacionet pranuan zhvillimet e fundit pozitive të marrëdhënieve, sidomos, përsa u përket kontakteve dhe konsultimeve në të gjitha nivelet, përfshirë takimet e nivelit të lartë. Tani, këto marrëdhënie duhet të vazhdojnë mbi bazën e parimeve të përbashkëta dhe të dialogut të frytshëm, në interes të bashkësisë katolike në Vietnam.

Marrëveshje për përfaqësimin e përhershëm papnor

Palët diskutuan e vendosën që të rritet niveli i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, prandaj, Selia e Shenjtë do të dërgojë një përfaqësues papnor të përhershëm, në vend të atij të përkohshëm, siç e kërkonte niveli i deritanishëm diplomatik. Nga ana vietnameze, u theksua se partia e shteti – kujtojmë se Vietnami është nën komunizëm – po bëjnë hapa drejt përmirësimit të kuadrit politik për të respektuar e garantuar lirinë e fesë e të besimit. Gjithashtu, e inkurajojnë dhe i krijojnë lehtësime bashkësisë katolike për të vepruar në vend, sipas ligjeve vietnameze. Çështje të tjera, që u diskutuan gjatë takimit të shtatë dypalësh, kanë të bëjnë me ndarjen në dioqeza dhe me emërimet e ipeshkvijve.

20 dhjetor 2018, 14:41