Kardinali Fernando Filoni Kardinali Fernando Filoni 

Sinodi. Kard. Filoni: dinamizmi i të rinjve, pasuri për Kishën

Sipas kardinalit Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, Sinodi duhet të vlerësojë dinamizmin e botës rinore.

R.SH. - Vatikan

“Uroj që nga ky Sinod të dalë një imazh i rinisë, siç e kërkon bota, gjithnjë me mendje të hapur nga pikpamja shpirtërore, psikologjike e morale. Të rinj të gatshëm për risi, që nuk kënaqen me realitetet e paracaktuara e që mund të bëhen të rritur të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm”. Kështu pohon prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni, në mikrofonin tonë, duke komentuar punimet e Asamblesë XV të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar temës “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”.

Dinamizmi dhe mendja e hapur është pasuria e të rinjve

         “Është e rëndësishme – shpjegon prelati – që të gjithë, jo vetëm Kisha, por edhe, për shembull, politika, ta marrë parasysh me seriozitet problemin e botës, që po u lëmë të rinjve. Siç thotë Papa, të rinjtë nuk duhet të lejojnë t’i burgosin, duhet të jenë të lirë, në kërkim, të ecin përpara. Të rinjtë nuk janë kategori e pandryshueshme: janë dinamikë, sepse kush është i ri lëviz, brenda pak vjetësh piqet dhe e mban me vete këtë pasuri. Ky dinamizëm është pasuri e madhe e nëse Sinodi do të arrijë ta vlerësojë, do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm”.

Për cilët të rinj flasim?

         “Si realitet dinamik, pa dyshim, të rinjtë e detyrojnë Kishën ta rimendojë veten, por nuk kemi formula që vlejnë për të gjithë. Duhet të kuptojmë për ç’lloj rinie flasim”, vijon prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. “Nëse flasim për fazën nga 14 në 16 vjeç, kemi të bëjmë me adoleshentë. E është fazë shumë e ndryshme në krahasim me atë të rinisë ndërmjet 25 e 28 vjeç. Pastaj, kemi një fazë ndërmjetëse”.

“Me një fjalë – sqaron kard. Filoni – nuk mund të flitet në përgjithësi për të rinjtë, përndryshe ka rrezik të themi gjëra, që vlejnë vetëm për një grupmoshe e jo për tjetrin. Për shembull, le të marrim fushën e formimit. Një i ri 29-vjeçar është formuar tashmë dhe kërkon punë, ndërsa një 16-vjeçar është në kërkim, pak i çorientuar. Pra, është e qartë se nuk mund të konsiderohen të rinjtë si realitet i vetëm, por duhen kuptuar kërkesat e tyre të ndryshme”. “Një shembull tjetër: - vijon prelati – nuk është e njëjta gjë të flasësh për të rinjtë e Afrikës, të Azisë, ose të Evropës. Këtu kemi të bëjmë me gati 2 miliard vetë. Eksponentët e konferencave ipeshkvnore, që ndërhynë në Sinod, sollën përvoja të ndryshme. Kemi të rinj, si ata të kontinentit afrikan, që marrin pjesë gjallërisht në jetën e Kishës. Në ambiente të tjera, realiteti është shumë më problematik”.

Distancimi i të rinjve nuk është vetëm fenomen kishtar

         “Bota e të rinjve, ka pasur gjithnjë vështirësi të integrohet në Kishë, ose t’i përgjigjet asaj krejtësisht. Në shumë raste, kemi pasur përgjigje të jashtëzakonshme, në shumë grupe”, shton kard. Filoni. “Por, bota rinore në vetvete, është gjithnjë realitet, që priret të distancohet. Shkëputet nga familja, shkëputet nga shoqëria tradicionale, shkëputet nga Kisha. Pra, largimi spontan i të rinjve nuk është vetëm realitet kishtar”. “Është vetë rinia që, në procesin e kërkimit të kuptimit në jetë, shtron para vetes problemin si të qëndrojë brenda Kishës, si të jetë Kishë. Janë faza tipike të kërkimit rinor, që ndoshta, i bën të rinjtë të kthehen më vonë, kur arrijnë pjekurinë e madje, edhe më vonë. Entuziazmi rinor, momentalisht i përgjumur, shpesh kthehet, me një pjekuri e urti të pamenduar”.

09 tetor 2018, 12:09