Humanae Vitae Humanae Vitae 

Kard. Parolin: Humanae Vitae, edhe sot, vë në qendër dinjitetin njerëzor

Sekretari i Shtetit të Vatikanit flet në paraqitjen e vëllimit: “Lindja e një Enciklike. Humanae Vitae, në dritën e Arkivave të Vatikanit”, me autor Gilfredo Marengon.

R.SH. - Vatikan

“Pa familje nuk do të kishte Kishë e as shoqëri njerëzore. Objektivisht, sot familjet ndodhen përballë sfidave të jashtëzakonshme”. Këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë paraqitjes së librit “Lindja e një Enciklike. Humanae Vitae, në dritën e Arkivave të Vatikanit”, me autor Gilfredo Marengon. Vëllimi, i publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV, analizon zanafillën e dokumentit të Papës Pali VI për jetën dhe familjen, 50 vjet pas botimit.

Familja në krizë

         Atëherë “fillonte të kuptohej përhapja e proceseve, që dalëngadalë, do ta çonin në krizë të thellë familjen tradicionale”, shpjegoi kardinali Parolin. “Humanae Vitae” mori përsipër të kontribuonte në gjetjen e zgjidhjeve për problematikat e reja, duke u kujdesur të mos përdorte tone përçmuese për aktualitetn, ose nostalgjike për kohët e kaluara. Objektivi i Enciklikës, e cila u hartua në pesë vjet, ishte orientimi i përshpirtërisë, i thirrjes dhe i jetës së bashkëshortëve të krishterë, si edhe i rolit të prindërve e të familjes.

Kisha e vitit 1968

         Për Kishën pas Koncilit II të Vatikanit ishte e rëndësishme “t’u transmetohej brezave të rinj bukuria e gjithçkaje dimë mbi natyrën e vërtetë të martesës, të familjes dhe të seksualitetit njerëzor”, theksoi kardinali Parolin. Pikërisht në vitet ’68 përhapeshin praktikat kontraceptive dhe politikat kundër lindjes së fëmijëve. Shqetësimi i Papës Pali VI ishte doktrina kishtare për familjen, prandaj, Enciklika përshkohet nga një fill i fuqishëm teologjiko-moral. Kard. Parolin vuri në dukje se shenjti i ardhshëm u mendua e reflektoi shumë për mënyrën e paraqitjes së përmbajtjes e, siç vihet në dukje nga ky studim i ri, mori edhe vendime të vështira si anulimin e një teksti. Pjesa me titull “De nascendae prolis” u hoq krejtësisht, “kur iu bë vërejtja se teksti kufizohej vetëm në ripohimin rigoroz të doktrinës dhe u kërkohej të krishterëve e të gjithë njerëzve ta pranonin me bindje e pa rezerva”.

Impenjimi i Palit VI

         “Magjisteri – komentoi kardinali Parolin – nuk është monolit i pandryshueshëm, por organizëm i gjallë, që rritet e zhvillohet”. E Papës Pali VI “nuk i mungonte vetëdija e mprehtë se rregullimi i lindjeve nuk ishte çështje, që prekte vetëm moralin e çifteve të krishtera, por kishte edhe një përmasë shoqërore, kulturore e madje, edhe politike, universale: ishte fjala për të dhënë gjykime mbi orientime, që vinin në diskutim vlerën më të lartë të jetës njerëzore, aq sa synohej të detyroheshin çiftet ta ushtronin atësinë dhe amësinë, të kushtëzuara nga vendime politike e strategji ekonomike kundër dinjitetit të njeriut, siç ndodhi, fatkeqësisht, e siç vijon të ndodhë në botë”.

Moderniteti i “Humanae Vitae”

         Nyja kryesore, që pati shkaktuar diskutime të zjarrta pas publikimit të Enciklikës, kishte të bënte me përdorimin e kontraceptivëve. Papa Pali VI ua ndaloi katolikëve, duke pranuar vetëm metodat natyrore në parandalimin e shtatzanisë, ndërsa kishte Konferenca Ipeshkvnore, që mendonin të kundërtën e, të tjera, që vërenin se Ati i Shenjtë e kishte lëshuar pak si tepër dorën duke pranuar, gjithsesi, një metodë parandalimi. E kardinali Parolin komentoi: “Nëse dashuria bashkëshortore është vendi ku Zoti krijon jetë të reja, si të mos e pyesim veten mbi mënyrat me të cilat shpesh, tepër shpesh, fëmijët konsiderohen një problem, ose një ‘objekt’, që dëshirohet me çdo kusht?” Në këtë kuptim, “Humanae Vitae” është akoma aktuale, edhe pse ngre probleme për emancipimin e gruas, e cila “duket se është ridimensionuar në kontekstin aktual shoqëror”. “Ndoshta – vërejti në përfundim kardinali – një nga mënyrat më të frytshme për të promovuar dinjitetin e saj është edukimi në familje e në shkollë. Në studimin e marrëdhënieve shoqërore, të rinjtë mund të kuptojnë vlerën e vetes e të zbulojnë bukurinë e plotësueshmërisë burrë-grua”.

19 tetor 2018, 13:05