2014-09-21 Papa Francesco Viaggio apostolico in Albania 2014-09-21 Papa Francesco Viaggio apostolico in Albania 

27 vjet marrëdhënie diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë

Marrëdhëniet diplomatike u vendosen më 7 shtator të vitit 1991 në rangun e Nunciaturës Apostolike për Vatikanin dhe të Ambasadës për Shqipërinë. Po marrëdhënie diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme që para periudhës së komunizmit.

Sot më 7 shtator bie 27 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për marrëdhëniet diplomatike të vendosura më 7 shtator të vitit 1991 në rangun e Nunciaturës Apostolike për Vatikanin dhe të Ambasadës për Shqipërinë.

Në të vërtet, marrëdhënie diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë  kanë një histori më të hershme që para periudhës së komunizmit, e ishte pikërisht qeveria komuniste e Tiranës ajo që ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin me dëbimin si person të “padëshirueshëm” të Delegatit Apostolik Imzot Leone Nigris, më 24 maj të vitit 1945. Kujtojmë se Delegati Apostolik imzot Nigris ishte në Shqipëri si Përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë Episkopatit shqiptar që nga viti 1938.

Po t’i kthehemi këtij përvjetori të periudhës pas komunizmit, për të thënë se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë janë jashtëzakonisht të mira e të frytshme, për të dy palët. Kujtojmë se Nunci (Ambasador) i parë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri qe emëruar, më 22 tetor të vitit 1991, prelati indian, imzot Ivan Dias, më vonë kardinal e Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Më 18 dhjetor 1991 Nunci Apostolik imzot Ivan Dias paraqiti Letrat Kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë. Ndërsa Ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Vatikanit qe emëruar, më 1993, prof. Willy Kamsi, i cili Letrat Kredenciale tek Papa Gjon Pali II i paraqiti më 22 prill 1993, tri ditë para vizitës historike të Atit të Shenjtë Karol Wojtila në Shqipëri.

27 vjetori i marrëdhënieve diplomatike rrëfen një lidhje historike e të pazgjidhshme, që përshkon thuajse një gjysmë shekulli nën papninë e Gjon Palit II e vijoi të forcohet nën papninë e Benediktit XVI dhe tani nën papninë e Atit të Shenjtë Françeskut. Këta tre Papë, ashtu edhe paraardhësit e tyre gjatë shekujsh, kanë treguar gjithnjë kujdes e vëmendje të veçantë ndaj popullit shqiptar, ndaj Shqipërisë, ndaj Kishës në trevat shqiptare e ndaj komuniteteve fetare, duke ndërmjetësuar e ndihmuar vazhdimisht për përparimin e Vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës e trevave tjera. E kjo gatishmëri e Selisë së Shenjtë u vërejt e madje është rritur edhe në kohën e papnisë së Atit Shenjtë Françeskut, Papës së dytë që vizitoi Shqipërinë, më 21 shtator 2014, pas vizitës së parë historike të Shën Gjon Palit II më 25 prill 1993.

Kujtojmë se aktualisht Nunci Apostolik (Ambasadori i Papës – Selisë së Shenjtë) në Tiranë është Shkëlqesia Tij Imzot Charles John Brown, i cili me datë 9 maj 2017 i dorëzoi letrat kredenciale pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nunci Apostolik, në hierarkinë e Kishës katolike, ka një rëndësi të veçantë, pasi është krahu i zgjatur i Papës pranë një Kishe lokale e po ashtu përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë Shtetit.

Ambasadori i fundit i Shqipërisë pranë Vatikanit, ka qenë, i ndjeri, Shkëlqesia e tij Rrok Logu. Aktualisht Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit, drejtohet nga kreu i misionit diplomatik, Zonja Majlinda Dodaj.

07 shtator 2018, 09:02