Sekretari Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet Imzot Gallagher mbështet paqen në Kore
R. SH. - Vatikan
Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Gallagher gjendet për vizitë në Kore deri më 9 korrik. Sot paradite u takua me Presidentin korean Moon Jae-in. "Ishte një bisedë shumë e përzemërt dhe me përmbajtje të jashtëzakonshme ajo që u zhvillua sot paradite në Seul ndërmjet Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Paul Richard Gallagher dhe Presidentit të Republikës së Koresë, Moon Jae-in". Njofton Salla e shtypit e Vatikanit në një deklaratë për media.
"Imzot Gallagher - njofton salla e shtypit të Selisë së Shenjtë - solli përshëndetjen, mbështetjen dhe lutjen e Papës Françesku për rrugën e paqes e të pajtimit në Gadishullin Korean. Po kështu u theksua rëndësia e propozimit të çdo nisme të dobishme humanitare, si dhe nevoja urgjente për të promovuar tek të rinjtë kulturën e paqes e të mirëkuptimit" . Pra, imzot Gallagher ka shprehur në emër të Papës dhe Selisë së Shenjtë mbështetjen e procesit të paqes ndërmjet dy Koreve.