Simpozium mbi energjinë në Vatikan: urgjent, ndryshimi
R.SH. - Vatikan
Është i nevojshëm një ndryshim rrënjësor në fushën e shfrytëzimit të energjisë, për të kapërcyer krizën e pamohueshme të klimës dhe shkatërrimin e ambientit. Kështu shkruan, në një komunikatë, Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në përfundim të Simpoziumit me temë “Tranzicioni energjitik dhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët”, mbajtur nga 7 deri më 9 qershor, në Shtëpinë Piu IV, në Vatikan.
Drejtuesit duhet të ndryshojnë radikalisht mendësinë
Në takimin e promovuar nga Universiteti Notre Dame – Mendoza College of Business, morën pjesë drejtues të ndërmarrjeve më të mëdha të naftës, gazit natyror dhe veprimtarive të tjera, që lidhen me energjinë. U fol për tranzicionin energjitik, për mundësitë dhe rreziqet e shfrytëzimit të energjisë, që ndikojnë mbi ambientin dhe mbi të varfërit.
Nevojitet këndvështrim afatgjatë
Pjesëmarrësit, që u pritën nga Papa Françesku më 9 qershor, nënvizuan nevojën e “tranzicionit drejt një ekonomie me emetime të ulta” të gazrave e të ndotjeve të tjera, duke diskutuar mbi rreziqet, mundësitë dhe rrugët për t’u ndjekur, përfshirë ndikimet që kjo udhë mund të ketë mbi çmimin e karbonit dhe mbi nevojën për ta rishpërndarë pasurinë botërore edhe për subjektet më të pafavorizuara. Iu kushtua vëmendje e veçantë domosdoshmërisë së një këndvështrimi afatgjatë, ku të përfshihen edhe brezat e ardhshëm e sidomos, Kisha. “As tranzicioni energjitik, as ndryshimet e klimës – thuhet në dokumentin vatikanas – nuk mund të reduktohen thjesht në probleme ekonomike, teknologjike dhe normative. Nevojitet edhe një zë moral”.